Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përcjelljen me homazhe shtetërore të Ratko Mlladiqit, të dënuarit për krime lufte dhe të cilit Rama iu referua si “kasapi i Ballkanit”.
Duke folur për marrëdhënien e Serbisë me Bashkimin Evropian, Rama tha se raste të tilla janë arsyeja pse Serbia duhet të mbahet në tryezën evropiane dhe t’i kërkohet llogari për qëndrimet dhe veprimet e saj.
“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, deklaroi Rama, duke argumentuar se izolimi i Serbisë nuk është zgjidhja e duhur.
Ai e përshkroi Serbinë si një “lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”, duke vënë në pikëpyetje nëse është më mirë që Beogradi të jetë pjesë e tryezës evropiane apo të lihet në një situatë ku ndërthuren ndikimet e Evropës, Kinës, SHBA-së dhe Rusisë.
“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama.













