Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, ka ndërruar jetë pas një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Hagës në vitin 2021, pasi u shpall fajtor për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në mesin e krimeve për të cilat u dënua ishte masakra e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë rreth 8.000 boshnjakë, pavarësisht se zona konsiderohej e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Gjykata e gjeti gjithashtu përgjegjës për përndjekjen dhe dëbimin me forcë të popullsisë boshnjake dhe kroate në pjesë të ndryshme të Bosnjës, si dhe për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.
Mlladiq u shpall fajtor edhe për marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së, në kohën kur NATO po kryente sulme ajrore ndaj forcave serbe në vitin 1995.
Nga 11 akuzat e ngritura ndaj tij, gjykata e shpalli fajtor për 10, duke e konsideruar një nga figurat kryesore përgjegjëse për disa prej krimeve më të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.













