Reagim i Këshilltarëve të AKI-së
Diskriminimi i Komunës së Kumanovës ndaj kulturës shqiptare, për fat të keq, tashmë është bërë përditshmëri dhe mënyrë veprimi. Nuk bëhet fjalë më për raste të izoluara apo për ndonjë lëshim të rastësishëm, por për një qasje që përsëritet vazhdimisht dhe që kërkon reagim të qartë.
Asnjë këngëtar shqiptar nuk ishte pjesë e manifestimit për 35-vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut. Dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh. Përkundrazi, është një praktikë që përsëritet vazhdimisht, duke dëshmuar se politika e kryetarit të Komunës tashmë është e qartë: çdo gjë që lidhet me kulturën shqiptare nuk meriton përkujdesjen dhe mbështetjen institucionale që i takon.
Kjo nuk mund të trajtohet si rastësi. Kultura shqiptare është pjesë e pandashme e jetës kulturore të Kumanovës dhe meriton përfaqësim, respekt dhe mbështetje të barabartë institucionale. Kur kjo mungon në mënyrë të vazhdueshme, atëherë është e drejtë dhe e domosdoshme të ngrihet zëri dhe të kërkohet llogari.
Për hir të transparencës, ne çdoherë e kemi ngritur zërin dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në të ardhmen, sepse shqiptarët e Kumanovës meritojnë shumë më tepër, sidomos kur bëhet fjalë për kulturën dhe përfaqësimin e saj.
Koalicioni në nivel lokal në Kumanovë është subjekti VLEN, të cilët i përfaqësojnë shqiptarët sipas dëshirës së kryetarit të Komunës dhe jo sipas dëshirës dhe vullnetit të elektoratit shqiptar.
Prandaj, ne do të vazhdojmë të mbrojmë çdo të drejtë dhe çdo interes që është në adresë të shqiptarëve.
As Maksim Dimitrievski dhe asnjë kryetar komune paratë nuk i jep nga xhepi i tij, por nga buxheti i Komunës, në të cilin kontribuojnë në masë të madhe edhe vetë shqiptarët.
Shqiptarët e Kumanovës meritojnë përfaqësim dinjitoz, të pavarur dhe në përputhje me vullnetin e tyre politik e qytetar, e jo të ndahen në të preferuar dhe më pak të preferuar të kryetarit të Komunës!













