Drini Hajredini përfaqësoi me dinjitet Ladorishtin dhe Strugën në Ligën Botërore për të Rinj!
Përfundoi rrugëtimin e tij në garën më prestigjioze për të rinj, “Liga Botërore për të Rinj”, ku morën pjesë rreth 3,000 sportistë nga 70 shtete të botës.
Karatisti ynë, Drini Hajredini, anëtar i Klubit të Karatesë “Drini” nga Struga, zhvilloi paraqitje dinjitoze dhe tregoi se i përket këtij niveli të lartë të garimit.
Në raundin e parë kaloi pa luftë, ndërsa në raundin e dytë dominoi ndaj kundërshtarit nga Holanda, duke fituar bindshëm me rezultat 5:0.
Në raundin e tretë u përball me karateistin nga Mali i Zi. Edhe pse Drini ishte në epërsi 2:0, një moment i vetëm ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe ajo përfundoi me rezultat 5:2 në favor të kundërshtarit.
Sporti i karatesë vendoset nga detajet dhe, këtë herë, fati nuk ishte në anën tonë. Megjithatë, Drini tregoi karakter, guxim, disiplinë dhe nivel të lartë teknik, duke na bërë krenarë me paraqitjen e tij në një garë ku konkurrojnë talentet më të mira të botës.
Një falënderim i sinqertë dhe i veçantë shkon për Shoqatën e Mërgimtarëve të fshatit Ladorisht në Zvicër, mbështetja e së cilës e bëri të mundur pjesëmarrjen tonë në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare.
Mirënjohja jonë është e pakufishme.















