Është duke u zhvilluar maratona 24-orëshe e shpejtësisë, me kontrolle të pandërprera të shpejtësisë së lëvizjes në të gjithë territorin e vendit.
Policia rrugore maqedonase, si anëtare e rrjetit evropian të policive rrugore – ROADPOL, i është bashkuar kësaj aksioni me kontrolle të shtuara për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Kontrollet e intensifikuara për shpejtësi do të zgjasin deri në mesnatë.
Shpejtësia e madhe mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasoja të rënda dhe fatale në rrugët tona.
Prandaj duhet të veprojmë vazhdimisht. Me zbatimin e projektit “Qytet i sigurt” dhe kontrollet e vazhdueshme rrugore rritet ndërgjegjësimi për rreziqet e shpejtësisë, nxitet ndryshimi i sjelljes së shoferëve në afat të gjatë dhe shpëtohen jetë, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Një pjesë e madhe e lokacioneve të kontrolleve janë të njohura paraprakisht për shoferët me qëllim që të forcohet karakteri parandalues i aksioneve. Qëllimi nuk është ndëshkimi, por qarkullimi brenda kufijve të shpejtësisë së lejuar – një qarkullim që shpëton jetë.
Maratona e shpejtësisë ROADPOL (Speed marathon) është një aksion i përbashkët i të gjitha policive rrugore evropiane, që zhvillohet njëkohësisht në të gjitha rrugët e Evropës.













