Sipas raportimeve nga mediat iraniane, komandanti i Gardës Revolucionare ka paralajmëruar se Ngushtica e Hormuzit është shpallur e bllokuar dhe se forcat iraniane do të godasin çdo anije që përpiqet të kalojë përmes saj.
Çfarë e bën kaq të rëndësishme Ngushticën e Hormuzit?
Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe detare që ndan Irani nga Omani dhe shërben si hyrje-dalje mes Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit. Edhe pse ka një gjerësi prej rreth 33 kilometrash në segmentin më të ngushtë, korsitë e lejuara për lundrim janë shumë më të kufizuara, duke e bërë trafikun detar të ndjeshëm ndaj çdo përshkallëzimi tensioni.
Kjo rrugë ujore është ndër më strategjiket në botë për furnizimin me energji. Çdo ditë, dhjetëra miliona fuçi naftë dhe derivate kalojnë përmes saj, duke përbërë rreth një të pestën e konsumit global. Sipas analizave të kompanisë Vortexa, mesatarisht mbi 20 milionë fuçi në ditë transportohen nëpër këtë korridor detar.
Shtetet anëtare të OPEC – si Arabia Saudite, Iraku, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – e përdorin këtë kalim si rrugën kryesore për eksportet e tyre të naftës, kryesisht drejt tregjeve aziatike. Ndërkohë, Katari transporton pothuajse të gjithë gazin e tij natyror të lëngshëm përmes së njëjtës ngushticë.
Për këtë arsye, çdo zhvillim që prek lirinë e lundrimit në Hormuz ka ndikim të menjëhershëm në tregjet globale të energjisë dhe në stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.













