Kasami për Report TV: Shqiptarët të votojnë pro, ja dy kërkesat që kemi
Maqedoni, Slider

Kasami për Report TV: Shqiptarët të votojnë pro, ja dy kërkesat që kemi

Maqedonia vijon përgatitjet për referendumin që do të mbahet në datë 30 shtator për cështjen e emrit. Nëse referendumi vendos për ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, atëherë ky shtet do të bëhet anëtari i 30 i NATO-s dhe do të nisë bisedimet në qershorin e 2019-s për anëtarësim në Bashkimin Europian. Për të folur për këtë cështje i ftuar në studion e REPORT TV ishte kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami. Ai tha se Maqedonia është në udhëkryq, ndërsa nëse referendumi vendos për ndryshimin e emrit atëherë do jetë një gjë mjaft e mirë për shqiptarët.

Ne si lëvizje BESA jemi shumë aktiv, po sensibilizojmë shqiptarët se përse duhet të përkrahet kjo marrëveshje me Greqinë. Maqedonia është në udhëkryq, të ndërtimit të një shteti multietnik. Edhe sot pas 15 viteve pas marrëveshjes së Ohrit, kemi institucione që nuk ka asnjë shqiptar të punësuar dhe në këtë situatë ku janë të dëshpëruar, ata duan që këtë situatë ka shfrytëzojnë për të dënuar përfaqësuesit e tyre. Pro marrëveshjes janë edhe partitë qeveritare. Pasi BDI e përkrah këtë marrëveshje, ekziston ideja për ta ndëshkuar me votën pro, por marrëveshja nuk është pronë e BDI, por që Maqedonia të jetë vend i sigurt për orientimin e saj. Shqiptarët me këtë pozitë ndëshkojnë Ali Ahmetin.

Bilal Kasami

Për të arritur miratimin e emrit të ri duhen që të votojnë 50+1, ndërsa Kasami tha se po ballafaqohemi me rrezikun e indiferentizmit.

Ky është rreziku që ballafaqohemi. Qytetarët janë pro që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe BE. Mund të ndodhë që të mos plotësohet norma 50+1. Sigurisht që ka edhe dilema.

Bilal Kasami

Kryetari i Lëvizjes BESA, referuar marrëveshjes për emrin, kërkoi që specifikohet etnia në pasaportë dhe në Kushtetutë të shkruhet qartësisht shqiptar dhe gjuha shqipe, jo thjeshtë referim 20% sikur u arrit nga marrëveshja e Ohrit.

Tani hapet kushtetuta për një problem të jashtëm, dhe ne themi hapur ‘tanimë nuk është arsyetimi se shqiptarët i morën armët kundër maqedonasve në 2001, tanimë shqiptarët kërkojnë një mirëkuptim nga maqedonasit për të ndërtuar një shtet për të dhënë kontributin e tyre. Ne nuk kushtëzojmë para armës; o të barabartë ose plas luftë, por ne ju ndihmuam. Shqiptarët kanë qenë unanim në një zë, në përkrahje të komunitetit maqedonas. Dy cështje e zgjidhin njëherë e përgjithmonë cështjen e shqiptarëve në Maqedoni; identiteti i popullit maqedonas dhe gjuhën zyrtare në shtet. Ne themi që ky identitet maqedonas nuk përkon me komunitetet tjera dhe duam dy emërime të shtetësive; maqedonas, që nënkupton shteti, por për të qartësuar se jo të gjithë qytetarët janë maqedonas dhe të specifikohet etnia, shqiptar ose të tjerat në pasaportë. Dhe cështja e dytë ka të bëjë me gjuhën. Ne duam përkrahje që në vend të 20% që shkruhet në Kushtetutë, të shkruhet shqiptar dhe gjuha shqipe.

Bilal Kasami

Në fund të intervistës, ai kërkoi që Tirana zyrtare të vijojë që të jetë aktive në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. ‘Tirana po rizgjohet, Rama ka qenë aktiv në momente të caktuara, do kisha dashur të ishte politikë zyrtare’. Autoritetet në Maqedoni po bëjnë përgatitje për referendumin e 30 shtatorit, që mund të vlerësohet si historik, për shkak të pritjeve për ndryshimin e emrit të vendit.

September 14, 2018
Struga Ekspres