Friday, April 26, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionGëzuar Ditëlindjen AMERIKË!

Gëzuar Ditëlindjen AMERIKË!

Prof. Dr. Nebi Dervishi
“GEZUAR DITËLINDJEN SH.B.A.”

“Me rastin e 242 vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë 4 Korrik 1776-2018)
Në mesin e datave historike që festohen në trojet shqiptare, gjithandej ku jetojnë shqiptarët, një vend të veçantë, gjithmonë duhet të zë respekti dhe falënderimi për SH.B.A-të dhe popullin Amerikan.
Që ky respekt dhe falemenderim të bëhet më kuptimplotë, shqiptarët duhet që edhe datën “4 Korrik”- Ditën e Pavarsisë së SH.B.A.-ve, ta evidentojnë në kalendarin e tyre manifestiv, për t’i shprehur urimet dhe njëkohësisht falenderimet popullit Amerikan, për miqësinë shekullore dhe përkrahjen e tyre të vazhdueshme për popullin shqiptar. Me mikun e mirw edhe festat janw tw pwrbashkwta!
Pra, shqiptarët pa rezervë duhet thënë, faleminderit Amerikë, që me shekuj ke përkrahur dhe strehuar personalitet dhe autoritetet të njohura shqiptare, si Nolin, Konicën, Mit’hat Frashërin, etj., madje edhe atëherë kur vet ata ishin të injoruar, nënçmuar, të nëpërkëmbur, madje edhe të përndjekur nga populli (lexo regjimet e egra) i tyre shqiptar.
Faleminderit Amerikë që ishte dhe mbete vendlindja e dytë për shumë shqiptarë, të cilët jo vetëm që i ngrite dhe i afirmove, por edhe t’i dhe edhe mbështetjen, moralin dhe forcën për t’u angazhuar dhe për të vepruar pandashëm për atdheun e tyre të nëpërkëmbur nga vetë shqiptarët.
Faleminderit Amerikë që nëpërmjet personaliteteve t’ua politike sidomos me mbështetjen e fuqishme të presidentëve amerikan për çështjen kombëtare shqiptare, si President Wilson e ai Ruzevelt, përkundër të tjerëve që anashkaluan dhe tentuan të zhdukin Shqipërinë nga harta e Evropës, mundësove pavarsinë e Shtetit Shqiptar nga 1912, e këtej.
Faleminderit Amerikë që edhe përkundër orientimeve të gabuara gjeo-strategjike të udhëheqësve shqiptarë gjatë periudhës së dominimit të njëmendësisë komuniste, asnjëherë nuk u armiqësove me popullin shqiptar, por përkundrazi ishe një shpresë e fuqishme që afroi dhe garantoi një të ardhme të sigurt dhe të shëndoshë shqiptare.
Faleminderit Amerikë që nëpërmjet autoriteteve t’ua, sidomos në periudhën post komuniste, forcove ndikimin e shqiptarëve si në vet SH.B.A., ashtu edhe në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit, i cili angazhim jo vetëm që ndihmoi në orientimin e drejtë shqiptarë, por edhe ringriti vetëdijen shqiptare për të punuar për kauzën e tyre në rajon dhe më gjërë.
Faleminderit Amerikë, sepse jo vetëm që shpëtove shqiptarët nga genocidi millosheviçian në Kosovë, por mundësove që njëherë e përgjithmonë shqiptarët e Kosovës të fitojnë të drejtën e tyre për t’u bërë popull vetëvendosës dhe i pavarur nga e kaluara gjeo-politike ish-Jugosllave.
Faleminderit Amerikë që ndihmove dhe afirmove antarësimin e Rep. së Shqipërisë në strukturat e NATO-së dhe siguruan një shtyptje rapide të përparimit të shqiptarëve në të gjitha sferat dhe në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare.
Faleminderit Amerikë që mbetesh, mikja më e preferuar e shqiptarëve, sepse roli i Juaj i gardianit rajonal e botëror mbetet jo vetëm interes imediat i
shqiptarëve, por edhe i tërë rajonit si dhe paqes dhe mirëqënies njerëore në tërë rruzullin toksor.
Urime, gëzuar Ditën e Pavarsisë suaj!
Zoti ju bekoftë!
Kombi amerikan ka disa veçori. Ai është kombi i lindur bashkë me lindjen e një shteti të ri perëndimor që lindi 242 vjet më parë më 4 korrik 1776. Pra, historikisht nocioni i këtij kombi konfondohet me nocionin e këtij shteti, të ri, shtet i cili do të jepte, për herë të parë në historinë e njerëzimit, boshtit juridik ( dhe jo më atij fisnoro-zakonor), rëndësi të plotë. Lindja e tij nga ana tjetër,është afirmimi i parë i plotë juridik i të drejtave të njerut e qytetarit, është fillimi i perëndimit të kolonizimit apo skllavërisë së kombeve.
Mirëpo, nuk mjaftojnë struktura juridike dhe interesat ekonomiko – politike për sigurimin e vazhdimësisë së një kombi në histori. Atij i duhet një lidhje e brendëshme shpirtërore deri konkrete si gjuha dhe morali,një konseguencë besimi. Në këtë rast, i duhej domosdoshmërisht heqja e formalitetit nga ligji, i duhej mposhtja e kontradiktës së pashprehur, por dhe të brendëshme të tij.
Duhej pra, që ai shtet të zhdukte skllavërinë si nocion e si praktikë, duhej pra që ai komb që po fillonte të përvijohej megjithëse, pa traditë e gjuhë të veçantë, duke e ruajtur Atë, traditë nga përçarja e humbja, duhej, pra, që ai shtet që çliroi veten nga skllavëria kombëtare, të çlironte çdo qytetartë tij nga skllavëria personale. Se kërkesa e vetme e tij që në lindje ( 4 korrik 1776) kishte qenë liria e çdo grupi njerëzish e deri çdo individi, për t’u shkëputur deri në fund nga çdo sundim e shtypje, pavarsisht se sa i konsoliduar dhe i argumentuar formalisht të jetë ky sundim, liria për të flakur tej çdo skllavëri edhe sikur prangat e saj të jenë të
arta ( në rastin e SH.B.A. këto ishin angleze, d.m.th. të shtetit e kombit më të qytetëruar e më të pasur e më të fortë perëndimor të asokohshëm).
Për të qenë më të saktë dhe lehtë i kuptueshëm tema që po trajtojmë – 4 korriku – Shpallja e Pavarsisë së SH.B.A.-ve, po shfletojmë historinë.
Në shek. XVII e gjerë në vitet 70 të shek. XVIII, në bregdetin e Atlantikut të Amerikës së Veriut u krijuan 13 koloni. Ato shtriheshin nga zona e Liqeneve të Mëdha në Veri e gjer në Floridën Spanjolle në Jug. Në Perëndim vija e maleve Apalashe shërbente si kufi për zotrimet e mbretit të Anglisë. Kolonitë angleze u zhvilluan ngadalë, por në mënyrë të vazhdueshme e të sigurt. Në to jetonin rreth 2 milionë kolonistë, të ardhur nga Evrpa e kryesisht nga Anglia, së bashku me disa qindra mijëra skllevër zezakë. Këto territore të gjëra mund të ndahen në tri grupe të veçanta: të veriut, të qendrës dhe të Jugut.
Në Veri ishin 4 (katër) koloni të quajtura Anglia e Re (Njuhemp-shir, Masaçusets, Rod Ajlend dhe Konektikat). Në to bujqësia ishte e zhvilluar në prona jo shumë të mëdha të cilat prodhonin vetëm grurë. Popullsia përbëhej nga grupe protestantësh disidentë të persekutuar në Angli nga kisha dhe shtetit. Puritanët shpresonin se mund të ndërtonin në Amerikë shoqërinë e përsosur kristiane të cilën nuk e ndërtuan në tokën mëmë.
Kolonitë qendrore (Nju- Jorku, Nju Xhersi, Pensilvanita dhe Delaver) kishin karakter të ndryshëm të ndërmjetëm midis Veriut dhe Jugut. Si në veri popullsia kishte bartur një trashëgimi të fortë fetare. Në Pensilvani kishte sekte të shumta fetare protestante. Në Nju-Jork kishte një bërthamë të fortë holandeze, meqë ata ishin vendosur të parët aty. Kolonitë qendrore kishin bujqësi të zhvilluar e cila lidhej përmes tregëtisë me kolonistë veriore. Këtu zotëronin pronat e mëdha tokësore. Përpjekjet për të vendosur feudalizmin në to dështuan.
Në kolonitë Jugore ( Merilend, Karolina e Veriut dhe e Jugut, VIrgjinia dhe Xhorxhia) nuk dalloheshin shenja të veçanta fetare. Ato ishin më tepër rrjedhim I koncensioneve që mbreti anglez u kishte bërë kompanive tregtare, fisnikëve të oborrit ose njerëzve të tjerë të pasur. Popullsia ishte më pak protestante e bindur. Në Merliend zotëronin katolikët, kurse në Virxhinia kundërshtarët e Kronuelit. Në kolonitë jugore, ishte përqëndruar prodhimi i duhanit, i orizit dhe më pas i pambukut, bazuar në punën e skllevërve zezakë.
Kolonitë amerikanë ishin shumë të lidhura me Anglinë. E gjithë ekonomia në dy anët e Atlantikut ( eksport-import) ishte monopolizua nga anglezët. Për të zhvilluar tregu me kolonitë duhej t’i transportojë mallrat me anije angleze. Me përjashtim të orizit, të gjitha mallrat që prodhoheshin në koloni mund të shiteshin vetëm në tregun anglez. Ndër artikujt më të rëndësishëm që shkonin në tokën mëmë ishin: pambuku, duhani, drithërat, lënda e drurit, peshku dhe vaji i balenave.
Politikisht kolonitë gëzonin një autonomi të madhe. Çdo njëra prej tyre kishte një guvernator të emëruar nga mbreti. Krahas tyre ekzistonin edhe kuvende të zgjedhura nga kolonistët, të cilat merrnin pjesë në qeverisje. Me kalimin e kohës ato morën fuqi gjithnjë e më të mëdha. Në brëndësi të kolonive qendra të ndryshme, për shkak të largësive të mëdha midis tyre, qeveriseshin në mënyrë autonome. Meqë kishte numër të vogël të komuniteteve të ndryshme, pjesa më e madhe e popullsisë u përfshi drejtpërdrejtë në diskutimin e problemeve politike.
A ishin kolonitë mbretëria e lirisë apo mbretëri që kishin ëndërruar disidentët fetarë në Evropë? Sigurisht se një gjë e tillë nuk mund të pohohet, por ideja e një qeverie të bazuar mbi një përfaqësim popullor ishte e fortë. Po kështu ekzistonte sensi i autonomisë, i demokracisë gati të drejtpërdrejtë. Në kolonitë angleze në Amerikë sikurse dhe në Evropë, jo të gjithë njerëzit ishin të barabartë.
Kishte një diferencim të dukshme midis shtresave shoqërore. Në krye ishin pronarët e mëdhenj të tokave. Më pas vinin funcionarët e shteteve, tregtarët e mëdhenj, miqtë e guvernatorit, fisnikët e ardhur nga Anglia që zotëronin toka, para shtëpi e skllevër, etj. Më poshtë ishin pronarët e vegjël të tokave, që gëzonin të drejtën e votës dhe mbajtën mbi supe punët më të vështirë për konolizimin e tokave të reja. Më pak të rëndësishëm ishin puntorët e lirë, hekurpunuesit, rrobaqepësit, marangozët, etj.
Ata nuk kishin të drejtë vote, sepse nuk kishin tokë. Në një shkallë më të ulët ishin skllevërit e bardhë, të cilët me një kontratë të caktuar për disa vjet ( nga 3-7) punonin pa asnjë të drejtë. Zakonisht ishin ata që kishin marrë borxhe për të shkuar në Amerikë. Gjendja e tyre ishte shumë e rëndë. Në fund të kontratës merrnin pak veshje, grurë, para për vegla pune për të shkuar drejt perëndimit. Në fund të shkallës shoqërore ishin skllevërit zezakë.
Në kolonitë angleze, ekzistonte një shoqëri e formuar nga shtresa të ndryshme, të pabarabarta ekonomikisht, politikisht dhe në raport me ligjin. Kjo nuk do të thotë se kishte humbur shpresa e kolonistëve për të ndërtuar një shoqëri të ndryshme nga ajo evropiane, një shoqëri ku të realizoheshin parimet e barazisë, të krishterizmit të hershëm. Mjafton të shkojë më në perëndim, drejt tokave të virgjëra, që gjithçka të fillonte nga e para të ndërtohej një shoqëri e re. Atje gjithkush mund të përmirësonte me guxim dhe trimëri kushtet e tij të jetës. Idetë e barazisë mbaronin në ata kufij ku nuk kishte më njerëz të bardhë.
Në brigjet e Oqeanit Atlantik kishte shumë njerëz që nuk kishin parë kurrë një Indian, por në kufi ata ishin një rrezik vdekjeprurës. Përtej maleve Apalashe indianët ishin të shumtë. Midis evropianëve dhe indianëve kishte dallime të mëdha. Të parët ishin bujq dhe me përparimin e tyre vunë tokat nën kulturë, por me këtë
shkatërruan territoret e gjuetisë së indianëve, që jetonin pothuajse vetëm me atë burim.
Të vetmit evropianë që kishin gjetur mirëkuptimin me indianët qenë françezët. Ata nuk ishin bujq, por tregtar peliçesh të vlefshme për t’u shitur në tregjet evropiane. Nga Kanadaja françezët u shtynë drejt jugut, duke ndërtuar fortesa në perëndim të maleve Apalashe. Lufta 7 (shtatë vjeçare 1756-1763), përfundoi me fitoren e Anglisë, dhe i dha fund pranisë së françezëve në Amerikën e Veriut. Njerëzit e kufirit, që kishin luftuar kundër françezëve dhe aleatëve të tyre indianë, menduan të kalonin në tokat e reja dhe të pashfrytëzuara në shekuj.
Pra, fitorja në luftën shtatëvjeçare (1756-1763) anglo-françeze, i dha Anglisë sundimin mbi Kanadanë dhe Floridën. Kështu, qeveria angleze, duhej të administronte dhe të mbronte një hapsirë të pamasë. Kjo bëri që të rriteshin në përmasa të mëdha shpenzimet financiare. Arka e shtetit ishte boshatisur në kohën e luftës kundër Francës dhe Spanjës. Në këto kushte mbreti anglez mendoi që këtë barrë tua ngarkonte kolonive si dhe të ndalonte përparimin e mëtejshëm të kolonistëve drejt perëndimit, për të menjanuar rritjen e mëtejshme të territorit, që duhej mbajtur nën kontroll. Kështu, në vitin 1763, një dekret i veçantë i Gjergjit III i ndalonte kolonistët të kalonin përtej maleve Apalashe. Zona ku synonin të shtriheshin emigrantët dhe të realizonin shpresat e tyre u mbyll.
Në vitet 1764-1766 qeveria angleze vuri në koloni një sërë taksash të reja. Kolonistët iu përgjigjën këtyre masave të qeverisë angleze duke sabotuar interest e metropolit, kështu ata nuk blinin mallrat e ardhur prej tij. Kundërvënia u bë më e hapur sepse kolonistët, me në krye përfaqësuesit e tyre të shquar Beniamin Franklini e Tomas Xhaferson, pohuan në shtyp parimin se çdo taksë mund të ishte e drejtë nëse pranohej nga ata që do ta paguanin. Përderisa kolonistët nuk
përfaqësoheshin në parlamentin anglez, ai nuk kishte asnjë të drejtë t’i takonte. Nuk vonoi shumë kohë, dhe të dy palët shkuan drejt ballafaqimit.
Në kuadrin e masave kundër kolonive, qeveria angleze vendosi taksën e stemës, sipas së cilës çdo botim ose shkresë duhej të mbante vulën angleze.’
Revoltimi i popullsisë së kolonive u shtua edhe më shumë kur Anglia vendosi monpolin e çait dhe të tregtisë së tij në dobi të kompanisë tregtare të Ost-Indisë. Kjo masë dëmtoi interest e kolonive. Në shumë rajone u zhvilluan trazira. Anglezët mbyllën portin e Bostonit, ku ishin sulmuar anijet e kompanisë së Ost – Indisë. Kolonia e Masaçusestit u privua nga autonomia e saj. Nga ky moment filloi një kryengritje e vërtetë.
Kolonitë mblodhën një kongres në Filandelfia, kurse anglezët menduan t’u kundërveshin me armë. Në Gjermani u rekrutuan mijëra mercenarë për të luftuar në Amerikë për interest e Anglisë. Në prill të vitit 1775 ndodhen betejat e para të armatosura në Konkord. Repartet angleze u munduan të zinin depot e armatimit nga kolonistët, por pësuan disfatë.
Fillimi i luftës së armatosur i detyroi kolonistët të mendonin për krijimin e një ushtrie të përbashkët për 13 kolonitë. Komanda e kësaj ushtrie iu besua Gjergj Uashingtonit, një pronar i madh tokash në Virgjinia. Veprimet ushtarake për një kohë të gjatë u zhvilluan në dobi të anglezëve. Anglia ishte fuqia më e madhe ekonomike dhe koloniale e botës, për pasojë shumë më e fuqishme në planin ushtarak, në raport me kolonitë në Amerikën e Veriut.
Këto epërsi të Anglisë, Uashington u përpoq t’i neutralizojë duke iu shmangur në maksimum ndeshjeve të mëdha në fushë të hapur. Amerikanët i besuan para se gjithash luftës guerill, pasi ata e njihnin mirë terenin e tyre dhe
shumë prej tyre kishin fituar përvojë ushtarake në kohën e luftës kundër Francës dhe indianëve.
Shumë kolonistë amerikanë, për një kohë të gjatë u lëkundën dhe nuk vendosnin nëse duhej të kalonin në anën e revolucionit çlirimtar apo t’i qëndronin besnikë monarkisë angleze. Shtresat më të pasura të shoqërisë amerikane përkrahën më shumë sundimin anglez, pasi interesat ekonomike i lindhnin më shumë me tregun e Anglisë, se atë të kolonive. Shtresat e mesme dhe të ulëta kërkonin me vendosmëri që lufta kundër metropolit të përfundonte me shkëputjen prej tij dhe me krijimin e një shteti të ri.
Qëndrimi i ashpër i Gjergjit III, që i deklaroi rebelë të gjithë kolonistët amerikanë, i detyroi ata të mos shikonin rrugë tjetër veç shkëputjes nga Anglia.
Më 4 korrik 1776, pra 242 vjet më parë, Tomas Xhefersoni i paraqiti Kongresit të III kontinental në Filandelfia Deklaratën e Pavarsisë, e cila u miratua me entuziazëm. Në dokument në mes tjerash thuhet:
“… Kur zhvillimi i ngjarjeve e detyron një popull të shkëputë lidhjet politike që e bashkojnë atë me një popull tjetër dhe të zërë një pozitë të pavarur krahas me shtetet e tjera…., atëherë ai duhet të spjegojë shkaqet që e shtyjnë në ndarje.
Në konsiderojmë të vërtetat e mëposhtme: të gjithë njerëzit janë të krijuar të barabartë dhe kanë nga krijuesi i tyre ( Zoti) disa të drejta të patjetërsueshme, në numrin e të cilave hyjnë: Jeta, liria dhe dëshira për lumturi ( për pronë). Për sigurimin e këtyre të drejtave është krijuar qeveria, burimi i drejtë i pushtetit të së cilës është marrëveshja e nënshtetasve. Nëse forma e dhënë e qeverisjes bëhet vdekjeprurëse për këto qëllime, atëherë populli ka të drejtë ta ndryshojë ose ta përmbys atë dhe të krijojë një qeveri të re të bazuar në parime të tilla dhe me një organizim të tillë pushteti që, sipas mendimit të popullit, mund t’i sigurojë atij jetën dhe lumturinë”.
Pra, në këtë dokument u spjeguan arsyet që e detyruan popullin amerikan të shkëputej nga Anglia dhe të shpallte formimin e një shteti të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.) Në deklaratë u pranua se populli kishte të drejtë të hiqte ministra e të ndërronte edhe qeverinë, në rast se nuk punonte në interes të tij. E drejta për të jetuar, për të qenë i lirë dhe e drejta e pronës private u shpallën si të drejtat më të ligjshme dhe të shenjat të popullsisë amerikane. Kjo Deklaratë shënoi lindjen e SH.B.A.-ve.
Shpallja e Pavarsisë së SH.B.A.-ve, më 4 korrik 1776, e rriti më tej luftën çlirimtare të kolonistëve amerikanë. Shkallë-shkallë u përmirësua edhe pozita ndërkombëtare e shtetit të ri amerikan. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajti Beniamin Franklini i cili për shumë kohë qëndroi në kryeqytetet më të rëndësishme të Evropës, për t’i tërhequr ato në anën e amerikanëve. Veprimtaria e diplomatit amerikan u lehtësua nga fakti se Franca, Holanda dhe Spanja kishin pësuar disfatë më parë në luftrat koloniale me Anglinë dhe tani prisnin rastin të hakmirreshin kundër saj. Këto shtete fillimisht i ndihmuan kryengritësit amerikanë ekonomikisht dhe me armatime, kurse më vonë Franca dhe Spanja dërguan forcat e tyre të armatosura në Amerikë. Ushtria françeze morën pjesë në operacionet ushtarake së bashku me ushtrinë amerikane. Flota e bashkuar ushtarako-detare e Francës, Holandës, Spanjës dhe e shteteve të tjera, e bëri jo efektive bllokadën ushtarake që e kishte vendosur Anglia mbi kolonitë e saj. Gjendja e tyre ekonomike filloi të përmirësohej për shkak të furnizimeve të ardhura nga aleatët e SH.B.A. në Evropë.
Në një kohë që forcat e ushtrisë amerikane po shtoheshin me shpejtësi, mundësitë e Anglisë për të furnizuar trupat e saj në Amerikë me përforcime në
trupa, armatime dhe produkte ushqimore u pakësuan gradualisht. Komandantët anglezë menduan të zbarkonin trupa në jug, në Virgjinia, për të vënë ushtrinë e Vashingtonit midis dy zjarreve.
Por, plani i tyre nuk pati sukses, sepse forcat që zbarkuan në Jug nuk arritën të lëviznin drejt Veriut. Popullsia mbajti qëndrim tepër armiqësor. Në sajë të pozitës së favorshme, XH. Vashingtoni e hodhi ushtrinë e SH.B.A-ve në sulm, duke rrethuar në afërsi të portit Jorktaunit ushtrinë angleze të komanduar nga gjenerali Kormelis.
Pas një rrethimi të gjatë, në tetor të vitit 1781, forcat angleze u detyryan të dorëzohen. Qeveria angleze u bind se me forcën e armëve nuk mund të thyente SH.B.A-në. Pas shumë lëkundjesh, mbreti i Anglisë, u detyrua të hynte në bisedime me përfaqësuesit e SH.B.A.-ve dhe të aleatëve të saj, Francën, dhe Spanjën. Bisedimet u zhvilluan në Versajë, pra në Parisit, ku në vitin 1783, u nënshkrua Traktati i Paqes. Sipas tij Anglia e njohu zyrtarisht pavarsinë e ish- kolonive të veta dhe formimin e SH.B.A.-ve. Kufijtë e saj përfshinë teritorin nga Atlantiku në Lindje gjer në Misisipi në Perëndim, nga Kanadaja në Veri, e deri në Florida në Jug, e cila iu kthye Spanjës nga Anglia. Kjo i bëri disa lëshime Francës në ishujt e Karaibëve dhe në Afrikë.
Traktati i Paqes i Versajës (Parisit) i dha mundësi popullit amerikan të merrej tërësisht me zgjedhjen e problemeve të brendshme, të cilat nuk ishin të pakta e të thjeshta.
Në luftën për pavarsi kolonite patën gati 70 mijë të vrarë dhe shumë të plagosur. Dëmet material qenë shumë të mëdha, taksat ishin të mëdha dhe përbënin një barrë të rëndë për popullsinë. Ish- kolonitë nuk përfaqësonin ende një shtet në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ato kishin dallime të mëdha ndërmjet tyre dhe
shfaqnin xhelozi të skajshme për autonominë e tyre, aq sa mund të thuhet se ndiqnin politika gati të pavaruar. Këtë pozitë të privilegjuar të shteteve të veçanta e përforcoi kushtetuta e vitit 1781. Me përfundimin e luftës kundër Anglisë, roli i Kongresit ra më shumë dhe ai u tregua i paaftë të forconte unitetin e shteteve amerikane.
Dobësia e pushtetit qendror në SH.B.A. ishte me pasoja të rrezikshme për pozitën e brendshme dhe të jashtme të shtetit të ri. Brenda vendit gjendja ishte në kaos dhe kjo fuqizoi lëvizjen e shtresave të ulta.
Në vitet 1786-1787, mijëra fermerë të vegjël, me në krye Daniel Shejsin, vunë në rrezik shtetin. Por forca e ushtrisë e mposhti lëvizjen kryengritëse. Në fushën e jashtme një shtet i dobët amerikan mund të bëhej pre e lehtë për Anglinë dhe Francën, të cilat për asnjë çast nuk kishin hequr dorë nga synimet për të forcuar pozitat e tyre në Amerikën Veriore.
Për të bashkuar ish-kolonitë në një shtet të vetëm, ishte e nevojshme një ligj themeltar, një kushtetutë e përbashkët që ta përmbante parimet e përgjithshme të organizimit të shtetit të pranuar nga të gjithë.
Pavarsisht nga vështirësitë, ndërtimi i shtetit të ri amerikan eci përpara. Në vitin 1787, u zgjodh një kuvend i ri, me detyrë që të hartonte kushtetutën e re. brenda 4 (katër) muajve, Kuvendi, nën drejtimin e Vashingtonit e kreu misionin e tij.
Kushtetuta e SH.B.A.-së e miratuar nga Kuvendi në vitin 1787 është në fuqi edhe sot, me shumë pak ndryshime ( rreth 20, në më shumë se 231 vjet jetë). Ajo është një kushtetutë federale, sipas së cilës ish-kolonitë ktheheshin në shtete që formonin lirisht një bashkim shtetesh. Në të gjeti pasqyrim ideja e iluministëve për ndarjen e pushteteve. Pushteti legjislativ i takonte Kongresit, që përbëhej nga
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Dhoma e Senatit. E para formohej nga deputetë të zgjedhur në bazë të numrit të popullsisë të çdo shteti (Shtetet më të populluara kishin më shumë deputet). E dyta (Senati) përbëhej nga dy senator prej çdo shteti.
Pushteti ekzekutiv i takon presidentit, i cili zgjidhet çdo katër vjetë nga një numër i caktuar i “Njerëzve të Mëdhenj”. Presidenti komandon forcat e armatosura e mund të bllokojë ligjet e miratuara në Kongres.
Pushteti gjyqësor i besohej Gjykatës së Lartë, e formuar nga 9 (nëntë) gjyqtarë të përjetshëm, të emëruar nga presidenti me miratimin e Senatit.
Me Kushtetutën e 1787, SH.B.A u bënë një shtet federative që garantonte autonominë dhe dallimet ndërmjet shteteve të veçanta. Po ashtu, u rrit shkalla e vetëqeverisjes së krahinave lokale, ku zgjidheshin të gjithë funkcionarët publik: prefekt, gjyqtari, sherifi,etj.
Pushteti qendror i qeverisë federale kufizohej në politikën e jashtme, në drejtimin e ushtrisë, në të drejtën për të vendosur taksa dhe të nxjerrë monedhën. Kombinimi i demokracisë lokale, autonomisë së shteteve të ndryshme dhe federalizimi është karakteristikë kryesore e organizimit politik të SH.B.A.-ve.
Presidenti i parë ishte Gjorgj Vashingtoni, i cili qëndroi në këtë post dy Legjistratura (1789- 1797). Në fushën e politikës u krijuan dy parti (sipas traditës angleze): demokratët dhe federalistët. Demokratët përkrahin idenë e një autonomie më të madhe për shtetet e ndryshme, duke respektuar pushtetin qendror. Partia federalist kërkonte forcimin e mëtejshëm të autoritetit të pushteti federal.
Pavarsisht nga polemikat e ashpra ndërmjet dy partive, shteti amerikan gjeti shpejt ekuilibrin e tij politik. Kjo krijoi mundësinë që të rifillonte me një forcë edhe më të madhe kolonizimi i tokave të perëndimit. Në vitin 1787, Kongresi
përcaktoi kriteret mbi të cilat duhej të mbështetej procesi i kolonizimit. Tokat e reja, të marra nga kolonitë, duhej të organizoheshin në territore të kontrolluara drejtpërdrejtë nga Kongresi. Sapo ato arrinin një popullsi prej 60 mijë banorësh, mund të shpalleshin shtete dhe hynin në bashkim me të drejta të barabarta me shtetet e tjera pjestare.
Pra, më 4 korrik 1776, Kongresi i Dytë Kontinentale në Fillandelfi, miratoi Shpalljen e Pavarsisë të 13 kolonive amerikane duke shpallur kështu ndarjen, njëherë e mirë, të kolonive nga Britania e Madhe dhe njëherit shënoi ditën ku iu shpallë mbarë botës se “Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”. Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte edhe ideja e vet-qeverisjes, dmth. E drejta e një populli për të ushtruar vet të gjitha kompetencat e pushtetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër.
Tomas Xheferson, kryetar i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SH.B.A) ka thënë se “vetqeverisja është një e drejtë që njerëzit e kanë, në bazë të “ligjeve të natyrës dhe të Perëndisë”. Historia e kombit të ri amerikan ishte plot e për plot konflikte të brendshme, por edhe të jashtme, me vendet, që kërcënoheshin nga krijimi i një sistemi republican të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës së re amerikane. Por, pas shumë debatesh dhe argumentesh, Deklarata e Shpalljes së Pavarsisë, 242 vjetë më parë nga kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kontinenti të ri, – që sot quhet SH.B.A – një dokument ky që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një frymëzim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe për sovranitetin dhe pavarsinë. Anë e mbanë botës për ata që duan t’i dëgjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë bënë jehonë Deklarata e Kushtetutës amerikane se, “Perëndia i ka paisë të gjithë njerëzit me disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë: Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në jetë”.
Fjalët e para të Shpalljes së Pavarsisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se “ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”, kanë bërë jehonë gjatë historisë së gati dy shekuj e gjysëm, duke nxitur bërjen e ndryshimeve për të siguruar barazi për të gjithë, duke filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe gratë.
Dokumenti i Shpalljes së Pavarsisë së Shteteve të Bashkuara (Amerikane), që zyrtarisht zyrtarizoi pavarsine nga Anglia (Britania e Madhe), eshte në të vërtetë një përmbledhje e 10 (dhjetë) amendamenteve të kushtetutës amerikane, dokument ky që njihet si “Bill oh Rights”, që sot njihen si të drejta bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe të fesë ndër të tjera.
Në Fillandelfia të shtetit të Pernsilvania, 56 burra nga të gjitha kolonitë hodhën votën e parë për pavarsinë nga Britania e Madhe, duke nënshkruar Shpalljen e Pavarsisë së Amerikës më 4 korrik 1776, dhe njëkohësisht duke i shpallur edhe botës së atëhershme parimin radikal, se qeveria duhet të bazohet në pëlqimin dhe miratimin e saj nga populli.
Ndonëse natyrisht 4 Korriku është një festë amerikane, parimet e Shpalljes së Pavarsisë së Shteteve të Bashkuara janë bërë bazë gjithashtu edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj, si e tillë, kjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të përbashkëta dhe universal të njerëzimit.
Shpallja e Pavarsisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë këtu edhe Francën, se: “Njerëzit janë të lindur të lirë dhe mbetën të tillë, me të drejta të barabarta”. Historianët thonë se ndikimi i Shpalljes së Pavarsisë amerikane ishte e drejtë për
drejt, në valën e shpalljeve për pavarsi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore (1918), me shembjen e Perandorisë Osmane, Ruse dhe A –H, si dhe gjatë periudhës deri në fund të shek. XX, me shpartallimin e perandorive të tjera, përfshirë edhe atë komuniste, kur nga shpartallimi i këtyre perandorive lindën një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
Edhe shqiptarët kudo që janë, kanë të drejtë të festojnë 4 korrikun, Ditën e Pavarsisë së SH.B.A, pasi ishin parimet për të drejtat universal të njeriut dhe për vetëvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga kjo deklaratë –ato që shtynë Presidentin amerikan Uillson të mbronte Pavarsinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, dhe ishte besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral, ai që detyroi Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Bil Klinton të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në vitin 1999, për të ndaluar shfarosjen dhe shpërrnguljen e shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe.
Politika Vilsoniane, “se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”, u çua në vend. Në të vërtetë ishin parimet që rrjedhin nga Deklarata e Pavarsisë së Shteteve të Bashkuara, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që çuan në prishjen e mardhënjeve midis SH.B.A.-ve, kur në vitin 1945, Ever Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjevetë lira, gjë që përfundoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë. Me rivendosjen e marrdhënieve diplomatike midis dy shteteve në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar mardhënie të mira,në bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të drejta të barabarta për të gjithë.
Dhe duke u bazuar në parimin mbi sovranitetin dhe pavarsinë e shteteve – Shtetet e Bashkaura, sipas zëdhënësve amerikan, vëzhdojnë të jenë të angazhuara
dhe të vendosura seriozisht që Shqipëria dhe Ksoova – si shtete sovrane dhe të pavarura – të realizojnë aspiratat e tyre të integrimin e plotë të kombit shqiptar në organizmat euro – atlantike, dhe në një Evropë, “të lirë, të tërë dhe në paqe”, aty ku e ka vendin dhe karriken e vet.
Mesazhi i kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan – por edhe për të gjithë ata që vlerësojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarsisë amerikane – është i thjeshtë por edhe i rëndësishëm sa vet jeta. Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbarë botës – se të drejtat tona bazë, si qenje njerëzore, e “që janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë”, vijnë nga Perëndia dhe jo nga një autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për mbrojtur këto të drejta, dhe jo për të shkelur ato. Në të vërtetë ky ishte një mesazh radikal për kohën, por është i tillë edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe ku nuk merren parasyshë dëshira e shumicës. Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë të heqin qafe, cilindo regjim që përpiqet t’i dhunojë këto të drejta.
Sot, në këtë ditë të shenjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët por edhe anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë ata që shpallën pavarsinë e SH.B.A.-ve, sepse ata hodhën në veprim një forcë positive që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerëzit jo vetëm sot, por edhe për breznitë e ardhshme anë e mbanë rruzullit toksor.
Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre – nevoja për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut – që çuan më në fund në shembjen e komunizmit në Evropë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri.
Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikanë, si Xhorxh Vashingtoni, Tomas Xhefersoni, Benjamin Franklini e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.
Zoti e bekoftë popullin amerikan!
Gëzuar Ditëlindjen SH.B.A.!
Urime dhe Gëzuar Ditën e Pavarsisë, 4 Korikun, SH.B.A.!

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments