Kryeministri Zoran Zaev prej sonte është për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Gjatë vizitës do të ketë takime me nivelin më të lartë shtetëror dhe qeveritar, ndërsa do të takohet edhe me përfaqësues të bashkësisë së biznesit në Turqi.
Siç njoftoi Shërbimi për informim i qeverisë, Zaev do të shoqërohet nga ministri pa portofol i ngarkuar për investimet e huaja Adnan Qahil, deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Enes Ibrahimi dhe Jusuf Hasan dhe nga sekretari shtetëror në MPJ, Viktor Dimovski.
Vizita e kryeministrit Zaev dhe delegacionit në Ankara fillon sonte me darkën e organizuar nga TOBB, Lidhja e Odave ekonomike dhe Bursave të Turqisë. Në darkë, kryeministri Zaev do të ketë fjalim hyrës, ndërsa para përfaqësuesve të TOBB do të mbajë fjalim edhe ministri Qahil.
Nesër, kryeministri Zaev do të pritet nga kryeministri i Turqisë, Binali Jëlldërëm dhe më pas të dy kryeministrat do të kenë takim tet-a-tet, pas së cilës pason edhe takimi i delegacioneve nga Maqedonia dhe Turqia. Jëlldërëm dhe Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi.
Gjatë ditës, kryeministri Zaev është parashikuar të takohet me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Turqisë, Ismail Kahraman dhe me presidentin e shtetit Rexhep Taip Erdogan.