Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen ka uruar Maqedoninë e Veriut për miratimin e propozimit francez, që i hap rrugën anëtarësimit të vendit në BE.
Von Der Leyen shkruan se për Maqedoninë e Veriut kjo ishte një mundësi e historike dhe “e kapi atë”.
“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit.
Ishte një mundësi historike. Dhe ju e kapët atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj”, shkruan në Twiiter Ursula von der Leyen.
Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 16 korrik miratoi propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.
Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim, raporton REL.
Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike. Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.