Lorenzo Sanz – i cili ishte president i Real Madridit nga viti 1995 deri më 2000, kur madrilenët i kishin fituar dy tituj të Ligës së Kampionëve – ka vdekur në moshën 76-vjeçare, pasi ishte diagnostikuar me koronavirus.
Ish-presidenti i Real Madridit ishte dërguar me emergjencë në spital dhe ishte vendosur nën kujdes intensiv të martën në mbrëmje, pasi ishte infektuar me virusin Covid-19.
Djali i tij u kishte thënë gazetarëve të enjten se situata e babait të tij nuk ishte shumë e mirë dhe se ai e kishte pësuar edhe një infeksion në veshkë, pas infektimin me virusin pandemik.
“Ne sapo kemi biseduar me doktorët dhe lajmet që na i kanë dhënë nuk janë të mira”, kishte thënë Fernando në rrjetet sociale.
“Përveç mungesës së oksigjenit në gjak, atij nuk po i funksionin as veshka për shkak të infeksionit të madh. Duhet të presim 24 orë, por është e komplikuar për shkak të moshës së tij”, shtoi ai.
“Gjëja më e keqe është se nuk mund të jemi pranë tij”, theksoi ai.
Sipas mediave spanjolle Marca Sanz ishte dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me temperaturë të lartë si pasojë e Covid-19.
Sanz kishte qenë president i Real Madridit nga viti 1995 deri më 2000, kohë gjatë të cilës i ka fituar dy trofe në Ligën e Kampionëve, kundër Juventusit dhe Valencias.