Nga Jetmir Skenderi
Alarm për bujqësinë: Prodhimi vendas po shkon drejt falimentimit!!
Pas korrjes së grurit dhe elbit, realiteti është i hidhur. Çmimi i blerjes prej vetëm 10 denarë për kilogram është nën çdo kufi të arsyeshëm.
Për një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh, shpenzimet për farë, plehra, naftë, pesticide, mekanizim dhe korrje arritën rreth 120.000 denarë.
Edhe pse prodhimi ishte rreth 8.5 ton, me këtë çmim arkëtohen vetëm 85.000 denarë, që do të thotë se kemi dalë me rreth 35.000 denarë humbje, pa llogaritur mundin, kohën dhe punën e familjes.
Shtrohet pyetja: Kush do ta mbjellë tokën vitin e ardhshëm nëse bujku punon me humbje?
I bëj thirrje Qeverisë Влада на Република Северна Македонија dhe Ministrisë së Bujqësisë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e prodhimit vendor.
Bujku nuk kërkon privilegje, por një çmim të drejtë dhe politika që i japin përparësi prodhimit vendas. Nuk është e pranueshme që prodhuesi vendas të lihet në mëshirë të tregut, ndërkohë që importi i grurit favorizohet.
Nëse vazhdohet me këto politika, gjithnjë e më shumë ara do të mbeten djerrë dhe vendi do të bëhet edhe më i varur nga importi i ushqimit.
Pa bujk nuk ka bukë. Është koha që prodhuesi vendas të mbrohet me vepra, jo vetëm me premtime.













