Vala e të nxehtit vazhdon të përfshijë Maqedoninë, ndërsa ulje e temperaturave pritet nga mesi i javës.
Sot vendi do të ketë mot kryesisht me diell dhe temperatura shumë të larta. Herë pas here do të ketë vranësira të pakta deri mesatare, ndërsa në orët e pasdites në disa zona mund të shfaqen reshje të shkurtra shiu të shoqëruara me bubullima. Era do të jetë e dobët deri mesatare dhe do të fryjë nga drejtime të ndryshme.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, temperaturat e mëngjesit do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 22 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës do të arrijnë nga 33 deri në 39 gradë.
Edhe në Shkup moti do të jetë me diell dhe përvëlues. Do të ketë vranësira të lehta, ndërsa era do të fryjë nga veriperëndimi me intensitet të dobët deri mesatar. Gjatë pasdites, në disa pjesë të luginës, ekziston mundësia për reshje të shkurtra shiu dhe bubullima. Temperatura minimale do të jetë rreth 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë në 38 gradë Celsius.
Sipas parashikimeve, moti shumë i nxehtë do të vazhdojë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme, me temperatura që në disa rajone mund të prekin 40 gradë Celsius. Pasdite do të mbetet e pranishme mundësia për zhvillime të izoluara të motit të paqëndrueshëm.













