Në disa nga pikat e karburanteve të Shkupit dhe qyteteve të tjera, pas njoftimit të KRRE-së për rritje drastike të çmimit të dizelit dhe benzinës nga mesnata, janë vërejtur kolona të gjata nëpër pompat e benzinës. Tek disa nga shoferët janë vërejtur nervozizëm të cilët nxituan të merrnin karburante me çmime më të ulëta. Sipas njoftimeve të qytetarëve në disa nga pompat e benzinës nuk ka derivate të naftës.
Por disa nga pompat e naftës në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë shkaktuar reagime nga më të ndryshmet nga qytetarët, për, siç thonë ata, fshehjen e derivateve deri në shitjen e tyre me çmimet e reja, shkruan TetovaSot.
“Makpetrol duket se është kompania më e neveritshme në Maqedoni! Duke e ditur se derivatet do të shtrenjtohen, qëllimisht nuk e mbushin karburantin, edhe pse paraprakisht e kanë blerë me çmim më të lirë, vetëm për të maksimizuar fitimin në kurrizin e qytetarëve të varfër! Turp për ju! Dikush duhet të jetë përgjegjës për këtë” thuhet në reagimin e një qytetari.
Kujtojmë se sot në orët e vona të pasdites Komisioni Rregullator për Energjetikë ka shpallur çmimet e reja të derivateve. Sipas çmimit të ri, nafta nga sonte në mesnatë do të shitet për 10 denarë më shumë. Çmimi i ri do të jetë 85,5 denarë, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri 83,5 denarë..
Çmimi i benzinës rritet për 5,5 denarë, Eurosuper-95 do të shitet për 89,5 denarë, ndërsa Eurosuper-98 për 91,5 denarë.
Çmimi i ri i mazutit është 54,3 denarë, që është një rritje prej rreth 5 denarë./TS