Saturday, April 27, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniTaravari: Rinia është ajka e popullsisë, emigrimi i të rinjve është alarm...

Taravari: Rinia është ajka e popullsisë, emigrimi i të rinjve është alarm shtetëror

Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari në tribunën “Migrimi i të rinjve”, foli mbi emigrimin e të rinjve nga Maqedonia e Veriut, që, siç thotë Taravari, është shndërruar në një murtajë të vërtetë.

“Murtaja e emigrimit ka pasoja shumëdimensionale, në ekonomi, në shoqëri dhe në familje. Emigrimi ka pasoja afatgjata për perspektivën ekonomike dhe zhvillimin e vendit pasi që shumica e të emigruarve, në bazë të të dhënave, janë të rinj, janë pjesa më vitale dhe më e kualifikuar e shoqërisë. Ata janë ajka e popullsisë që po na tkurret dita ditës. Emigrimi prek po ashtu strukturën tonë shoqërore, ku shqiptarët janë prekur në mënyrë disproporcionale nga kjo problematikë. Emigrimi hyn drejtpërdrejtë në familjet tona pasi që thuajse nuk ka ngelur familje shqiptare në vend, të cilës nuk i është ndarë një pjesë e saj duke zgjedhur rrugën e emigrimit”, u shpreh Taravari.

Sipas tij, shteti nuk duhet të lejojë të anashkalojë talentin dhe potencialin e të rinjve, ndërsa komoditeti i pushtetit edhe përkundër faktit e statistikave, është alarm në vetvete se Maqedonisë i duhet ndryshimi.

“Ndryshim i vërtetë në mentalitetin qeverisës. Një Qeveri e re që angazhohet ditë e natë për të siguruar mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e saj, e veçanërisht e rinisë që është e ardhmja e vendit. Unë nuk them që do ta ndalim në plotni këtë gamë të migrimit masiv të të rinjve, mirëpo unë si president i ardhshëm dhe VLEN si qeverisje e ardhshme, do të bëjmë përpjekje maksimale dhe angazhim të vazhdueshëm që përmes politikave progresive që kanë në qendër qytetarin, e veçmas të rinjtë, të krijojmë kushte të përshtatshme që ata ta ndiejnë veten si pjesë përbërëse por dhe aktive të kësaj shoqërie”, tha Taravari.

Taravari shtoi se frenimi i emigrimit të të rinjve mund të ndodhë nëse kemi rritje të investimeve në arsim dhe përkrahjen e ndërmarrësisë, investime në zhvillimin rajonal, transparencë dhe llogaridhënie, angazhim të mërgatës si dhe mbështetje për të kthyerit.

“Le të punojmë krah për krah për të krijuar një shoqëri ku asnjë talent nuk humbet kot dhe çdo individ mund të kontribuojë në prosperitetin dhe mirëqenien e vendit. Andaj, sot jam para jush, jo për të bërë fushatë dhe për të bërë premtime, por për të dëgjuar. Dua që të dëgjoj brengat tuaja, pritshmëritë tuaja, idetë dhe pse jo ëndrrat tuaja, për rolin që duhet të luajë shteti në ofrimin e një perspektive më të mirë në vendlindje”, tha në fund Taravari.

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments