Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021, përcjell Alsat. Kandidatët për kryetarë komunash në 44 komuna në vend, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, do ta shfrytëzojnë mundësinë për t’i dërguar mesazhet e fundit qytetarëve dhe për të fituar votën e tyre të dielën, kur edhe mbahen votimet për raundin e dytë zgjedhorë. Heshtja zgjedhore nis në mesnatë.
KSHZ gjatë ditës së djeshme në Manastrit mori materialin e besueshëm zgjedhor për votimin e të dielës. Materiali i besueshëm sot do të shpërndahet te Komisionet Komunale Zgjedhore kurse të shtunën do të shpërndahet nëpër vendvotime.
KSHZ-ja të dielën e 17 tetorit, respektivisht në raundin e parë të zgjedhjeve lokale u përballë me probleme në nivel të këshillave zgjedhor. Kryesisht pengesat ishin të natyrës teknike me terminalet për identifikimin e votuesve me shenjave të gishtave por edhe për shkak se disa nga këshillat zgjedhor nuk dinin të menaxhonin pajisjen. Pengesë shtesë paraqiti edhe fakti që shumë nga anëtarët e këshillave zgjedhor ishin të sapozgjedhur. Kjo shkaktoi radhë të gjata nëpër vendvotime dhe bëri që në disa prej tyre, votimi të vazhdojë me orë të tëra pas orës 19.
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thonë se janë të bindur se rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të kalojë më mirë se rrethi i parë, kjo për shkak të përvojës nga rrethi i parë dhe masave shtesë.