Duhet ta përfundojmë luftën për drejtësi. Këtë e presin qytetarët dhe këtë edhe do ta marrin. Na duhet gjyqësor që vendos, e jo gjyqësor që vjetërson lëndë. Shtet ligjor duhet të ketë, porositi kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev në tribunën e sotme “Në rrugë të drejtë” që për momentin po mbahet në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup.
Iu bëri thirrje institucioneve adekuate që ta fillojnë procedurën për kontrollim të pasurisë së gjykatësve, prokurorëve dhe familjeve të tyre, ndërsa nga Këshilli Gjyqësor kërkoi që ta kontrollojë azhurnimin e punës së gjykatësve dhe prokurorëve.
“Nuk ka kompromis me krimin dhe korrupsionin. Për ata që bëjnë krim, dihet se ku e kanë vendin. Nuk ka gjykatës dhe prokuror i cili do ta ndalojë këtë proces. Një pjesë e gjyqësorit dhe prokuroria mbeti fortesa e fundit e shtetit ligjor. Në vend se të çlirohen nga prangat e tyre, mbetën si vatra të fundit të shtetit të robëruar. Kjo duhet të ndërpritet menjëherë. Shtet ligjor duhet të ketë”, theksoi Zaevi para të pranishmëve.