Min”istri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 248 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke thënë se SHBA-ja i ka vendosur themelet e forta të lirisë, demokracisë, që shërbejnë si vlera përparimtare të popujve.
Në reagimin e tij në Facebook, Sveçla është shprehur të enjten se këto vlera duhet të triumfojnë “përballë agresioneve e rreziqeve me të cilat po përballet bota e njerëzimi”.
“Festojmë sot si aleatë të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur mirënjohjen jo vetëm për përkrahjen e vazhdueshme por edhe shembullin që vazhdojnë të japin tash e 248 vite. Në këtë datë të shënuar, urojmë popullin amerikan dhe institucionet e ShBA-ve, miqtë e partnerët e Republikës sonë! Urime 4 korrikun!”, ka shkruar ai.
SHBA-në e ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se populli kosovar feston krahas populli amerikan.
“Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku!”, është shprehur Osmani në Facebook.
Urime për SHBA-në e ka shprehur edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se SHBA-ja është sinonim i kombit të madh që angazhohet për një botë më paqësore dhe më të sigurt.
“Edhe për Kosovën SHBA-të kanë qenë, janë dhe do mbesin aleat i përhershëm strategjik, pa mbështetjen e të cilëve vendi ynë do ta kishte të pamundur lirinë, krijimin dhe konsolidimin e shtetit. Aleanca me ShBA-të është e përmbledhur qartë në postulatin e atit themeltar të Republikës, Presidentit Historik Rugova: “Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Vizioni politik i yni është i qartë; duhet ta ndjekim orientimin natyral politik drejt vlerave perëndimore e integrimin në strukturat euro-atlantike”, thuhet në mesazhin e LDK-së në Facebook.
“Urime Dita e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar në Facebook kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se këtë ditë e feston e gjithë bota demokratike.
“Në përvjetorin e 248 të Pavarësisë së SHBA-së, u shpreh urimet e përzemërta stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, Ambasadorit Hovenier, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane në Kosovë dhe të gjithë qytetarëve amerikanë. Para se gjithash, kjo është një ditë që e feston e gjithë bota e lirë dhe demokratike, krah për krah me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.