- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vazhduar kontaktet e saja me qytetarë nëpër komunat e Kosovës, e shtyrë nga fenomeni në rritje i emigrimit masiv ilegal të kosovarëve drejt perëndimit.
Sot, stacionet e Presidentes kanë qenë Gjilani e Podujeva ku ajo bisedoi me banorët dhe autoritetet lokale për rreziqet që sjell emigrimi ilegal.
Në Gjilan, vizita e presidentes në Komunë ishte paraparë të fillonte me takimin e saj me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, por pas kërkesës së qytetarëve që ajo “të takohej së pari me popullin”, Presidentja u ndal t’i dëgjonte kërkesat dhe hallet e tyre që nuk ishin të pakta.
“Pa qare na me ik në Hungari ose ku të muj. Shpijen ma kanë maru hallku, amo bukën s’po ma bin mo, te kush me shku na, te kryetari s’po len me shku, katër mesazha i kam qu në telefon edhe kurgjo”, tha njëri qytetar Presidentes, përderisa kryetari i komunës, Lutfi Haziri i qëndronte në krah.
Ata adresuan edhe ankesa tjera, të gjitha rreth gjendjes së vështirë ekonomike.
Presidentja u pajtua me qytetarët duke thënë se Kosova nuk është ajo të cilën “e kemi dashtë vite me radhë”.
“Unë sot kam ardhë në vizitë në komunë me pa Kryetarin, me ju pa pak edhe juve, me bisedu edhe me juve sepse ne e dimë që Kosova ndoshta nuk është ajo Kosova që ne e kemi dashtë për vite me radhë”, u tha Presidentja qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së komunës.
“Ne kemi ardhur për një çështje të caktuar sot, për çështjen e emigrimit ilegal, që është edhe brengë e juaja sepse i keni familjarët e juaj, është brengë e të gjitha institucioneve të vendit që ne bashkërisht duhet të tejkalojmë këtë fazë sepse ne e dimë që gjendja nuk është ajo çfarë e kemi pritur”.
“Ne duhet të dimë që kanë kaluar vetëm 15 vite pas luftës dhe 7 vjet pas shpalljes së pavarësisë”, tha ajo
Reagimi i disa qytetarëve ndaj këtyre fjalëve të Presidentes ishte: “Nuk hahet pavarësia”.
Pas takimit me Kryetarin e Komunës dhe zyrtarë të tjerë, Presidentja u ndal për takim me qytetarë në njërën prej kafeterive të qytetit.
Ajo tha se komunikimi me qytetarë është i domosdoshëm dhe vizitat e tilla “na ndihmojnë ta kuptojmë në teren situatën dhe në anën tjetër të komunikojmë e të ju bëjmë thirrje qytetarëve se zgjidhja nuk është ikja”.
“Zgjidhja është brenda Kosovës dhe së bashku do të vazhdojmë me procese për ndërtimin e shtetit tonë”, tha ajo.
Ndërsa Kryetari Lutfi Haziri foli rreth numrit të madh të qytetarëve të Gjilanit të cilët kanë ikur ditëve të fundit dhe për punën që duhet bërë institucionet për të parandaluar këtë ikje.
“E njoftova edhe Presidenten që ne kemi qenë të parët që me 10 janar e kemi paralajmëruar problemin e ikjes sepse neve na kanë munguar 317 nxënës”, tha ai.