Në seancën e sotme të rastit “Titanik” janë duke u prezantuar biseda të përgjuara, ose siç njihen në opinion si “bomba” që lidhen me parregullsitë zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2013, gjatë raundit të dytë zgjedhor, transmeton Portalb.mk. Sipas bisedave të ish-ministrit Mile Janakieski më 7 prill 2013, gjegjësisht në ditën e votimit, ai disa bashkëbiseduesve u ka dhënë drejtime se ku duhet të lajmërojnë, te cilët të punësuar të administratës publike që ta dalin të votojnë. Sipas informatave që i ka pasur Janakieski, votuesit që i kanë pasur në listë, nuk kanë dalë të votojnë. Një nga bashkëbiseduesit i thotë se të gjithë janë duke votuar, dhe i tha “Ja edhe unë edhe gjyshjen time në moshën 92 e kam marrë për të votuar, e më tjerët”.
Janakieski iu lajmërua edhe një bashkëbiseduesi tjetër dhe i tha: “A nuk ka dalë familja Andonovski në votim? I ka shtuar Juliana në listë”, dhe bashkëbiseduesi i thotë që do të kontrollojë. Nga paniku Janakieski menjëherë i është lajmëruar një tjetër bashkëbisedues, të cilit i thotë se sipas listave mbi 20 votues nuk kanë dalë në votim në Debar Maalo, dhe më pas i thotë që me emër dhe mbiemër t’i kontrollojnë. Një bashkëbisedues tjetër i ka dhënë raport se nga 201 votues që i ka në listë, nga të punësuarit në shkolla, vetëm katër nuk kanë dalë të votojnë. Dhe kështu Janakieski ka vazhduar me përkushtim t’ju telefonojë me rend ku një bashkëbiseduesi i thotë: Ato të DAP-it nuk kanë dalë të votojnë, le t’ua gjejnë adresat dhe t’ju shkojnë në shtëpi.