Saturday, April 20, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionProf. Dr. Nebi Dervishi: RËNDËSIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Prof. Dr. Nebi Dervishi: RËNDËSIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Prof. Dr. Nebi Dervishi
RËNDËSIA E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Njëqind e dyzet e katër (144) vite më parë, më 10 Qershor 1878, në ditët e stuhishme të “Krizës së madhe Lindore”, kur re të zeza ishin grumbulluar mbi qiellin e Shqipërisë, në qytetin e lashtë të Prizrenit u themelua organizata e parë e Lëvizjes sonë Kombëtare me karakter politik panshqiptar, e cila, me emrin “Lidhja shqiptare” ose Lidhja e Prizrenit” ka hyrë në histori si një ngjarje e madhe historike, si një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar, e cila me rrjedhimet e saja objektive, ndikoi mbi gjithë periudhat e mëvonshme.
Lidhja Shqiptaree Prizrenit, 144 vjetorin e së cilës përkujtojmë sot dhe veprimtaria e saj në katër vitet e stuhishme të Krizës lindore, zë një vend nderi në panteonin e historisë. Ajo përbën një nga momentet kulmore e kthesë në historinë e lëvizjes kombëtare çliritare shqiptare, ku mbarë populli ynë u hodh në rrugën e guximshme të luftës së armëve e të mendimit për të flakur tej zgjedhën e huaj, për të siguruar të drejtën e tij themelore për liri e tokë, për drejtësi e përparim. Ajo përbën një nga ato ngjarje që i rrëmbejnë masat me thirrjen “Ja vdekje, ja liri” i çojnë në barikadat, i bëjnë të marrin me vete vuajtje e fli, për t’i çarë rrugë të reja së ardhmes, me lindje se, në mos vetë, do të jenë brezat e posalindur që do të korrin fitore.
Sot, kur po përkujtojmë këtë 144 vjetor të Lidhjes së Prizrenit, të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin toksor, me mirënjohje i japin peshën e nderit kësaj ngjarjeje kulmore dhe veprimtarëve të shquar të saj.
Është krenaria jonë se historia e kombit shqiptar është e pasur me ngjarje të tilla të mëdha përparimtare. Ne krenohemi që flamuri që ka udhëhequr popullin tonë të lashtë në rrugën e tij historike, nuk shërben kurrë si simbol lufte për një çështje të ç’ndertë, si simbol robërimi e dhune pushtuese as i diplomacisë së intrigave dhe komploteve në kurriz të popujve fqinjë. Sa e sa herë të parët tanë dhanë kushtrimin për t’u bërë ballë vërshimeve e pushtimeve që u përsëritën në kurriz të kombit tonë me një rregullsi periodike tragjike! Ata ishin të detyruar të përballonin rrezikun e shfarosjes e të asimilimit, të coptimit e të grabitjes së trojeve të veta nga ana e cezarëve, perandorëve, kralëve të kohëve të lashta e modern.
Të vetëm, pa aletë, shpesh të braktisur e të tradhëtuar nga klasa sunduese vendëse, stërgjyshërit e gjyshërit e etërve tanë u mblodhën e u betuan për luftë në kuvendet e mëdha historike. Në vazhdën e këtyre kuvendarëve të mëdha tradicionale një vend të veçantë zë Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ajo është e vetmja organizatë politike e ngritur brenda në Shqipëri, që i doli zot me armë në dorë të drejtave të kombit shqiptar, një organizatë që ka jo vetëm një platform ideologjike kombëtare e një program politik të përcaktuar qartë por edhe një organizim shtetëror dhe ushtarak në shkallë kombëtare për sa u takon ndarjeve krahinore e fetare të vendit.
Nuk qe e rastit që ajo u mblodh për herë të parë pikërisht në qytetin e lashtë shqiptar të Prizrenit mu në zemër të Kosovës, në atë trevë ku përqëndroheshin në mënyrë më të theksuar lakmitë grabitqare të armiqve të popullit shqiptar. Këtu ajo filloi veprimin e vet me akordin madhor të memorandumeve të saj me veprimet e organizuara politiko-ushtarake si përfaqësuese e të drejtave të kombit shqiptar dhe më vonë si qeveri e tij. Pavarsisht se kanë kaluar plotë 144 vjet. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka ruajtur domethënien e saj të madhe dhe do ta ruaj atë për brezat e ardhshme të kombit shqiptar.
Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore, të viteve 70 të shek. XIX. Ajo mori përsipër të zgjidhte tri detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt të të drejtave kombëtare; b) të kundërshtonte coptimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (13.06-13, 1878), në favor të monarkive fqinje ballkanike dhe; c) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hapë i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. Para formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët kishin zhvilluar një mori kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kishte pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Edhe Fuqit e Mëdha në praktikën e tyre diplomatike nuk kishin pranuar t’u njihnin Shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë shqiptar. As tani, kur dukej qartë fitorja ruse në luftën ruso – turke në vitet 1877 – 1878, asnjë nga Fuqit e Mëdha nuk e përkrahu formimin e një shteti shqiptar. Shqetësimi i Shqiptarëve arriti kulmin me nënshkrimin, më 3 mars 1878, të Traktatit të Shën Stefanit, kur Rusia fitimtare i shkëpuste Perandorisë Osmane në favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi mjaftë vise shqiptare, me ç‘rast e gjymtonte rëndë tërësinë territorial të Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua 144 vjet më parë, më 10 qershor 1878 nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e viseve të ndryshme shqiptare. Ajo zgjodhi organet e larta: Këshillin e Përgjithshëm me funkcione legjislative dhe komitetin Qendror me funkcione ekzekutive.
Më 17 qershor 1878 u miratua statuti i Lidhjes Shqiptare (“Kararname”) dhe Urdhëresa” (“Talimati”), ku trajtoheshin aspektet organizative, politike dhe ushtarake të saj. Nën presionin e qarqeve patriotike, Këshilli i Përgjithshëm, më 2 korrik 1878 miratoi një “Kanun të Ri” i pastruar nga shprehjet për “besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane” të Kararmamesë, shënoi fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare në gjirin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja “Shqiptare e Prizrenit kundërshton vendimet anti shqiptare të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit,që prekën rëndë tërësinë toksore shqiptare në favor të shteteve fqinje. Për këtë qëllim ajo ngriti pothuajse kudo degë të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, krijoi një front të gjërë atdhetar mbi dallimet klasore, fetare e krahinore dhe u bë një forcë e organizuar, duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin.
Pas aksionit të Gjakovës i cili, me vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, shpuri në dështimin e përpjekjeve të Portës së Lartë, për të bindur krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që t’i dorëzonin Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, Lidhja e Prizrenit ngriti me forcë para qeverisë osmane (Portës së Lartë) çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare me një njësi më vete politiko-administrative (në një vilajet shqiptar autonom), që Porta e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshton.
Vendosmëria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të mbrojtur tokat e Çamërisë deri në lumin Kalama e detyroi delegacionin osman në Konferencën e Prevezës më 6 shkurt 1879, që të mos nënshtrohej kërkesave të qeverisë greke.
Lidhja shqiptare e Prizrenit në pranverën e vitit 1879 dërgoi një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni nëpër Evropë, për t’i bindur kancalaritë e mëdha euopiane që të ndryshojnë përmbajtjen e Protokolit 13, ( që kishte të bëjë me Jugun e Shqipërisë), përndryshe, siç theksonin ata, do të shkaktohej gjakderdhje midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk e dëshironte. Delegacioni që u nis për në Europë në fund të prillit të vitit 1879, vizitoi kancelaritë e pesë Fuqive të Mëdha (Romë, Paris, Londër, Berlin, e Vienë). Përveç spjegimeve gojore, delegatët e L.SH.P. u dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë F. M. një memorandum, me të cilin kërkonin që Shqiptarët të trajtoheshin ashti siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të hiqnin dorë nga politika e coptimit të tokave shqiptare. Në fund të misionit ata arritën t’i bindin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në zbatimin e Protokolit 13.
Gjatë dimrit të 1879-1880 forcat e armatosura të Lidhjes mbrojtën me sukses Plavën dhe Gusinë duke u shkaktuar ushtrive malazeze, që u orvatën t’i merrnin me forcë, disfatë të rëndë në Nevshov e Velikë (dhjetor 1879) dhe pastaj në Velikë dhe Pepiç (janar 1880).
Me shpresë se do të lehtësonin zbatimin e Traktatit të Berlinit, Fuqit e Mëdha vendosën në fillim të muajit prill 1880 që ta korigjonin atë duke i dhanë Malit të Zi Hotin dhe Grudën, në vend të Plavës dhe Gucisë. Por, L.SH.P, nuk u tërhoq, përkundrazi vendosi t’i mbronte me çdo sakrificë të dy këto vise shqiptare.
Më 22 prill 1880 forcat ushtarake të L.SH.P. në betejën e Rrazhanicës i thyen përsëri forcat malazeze të cilat u orvatën ta pushtonin Hotin dhe Grudën. Pak ditë më vonë, më 26 qershor 1880, Fuqit e Mëdha vendosën që në vend të Hotit dhe Grudës, Malit të Zi t’i lëshohet qyteti i Ulqinit dhe rrethin e tij me popullsi thjeshtë shqiptarë. Këtë radhë, për të detyruar Portën e Lartë, që zbatonte me çdo kusht vendimet e tyre, Fuqitë e Mëdha, dërguan për shantazh flotën e tyre luftarake në ujrat e Ulqinit. Në këto rrethana qeveria osmane vendosi të shtypte rezistencën shqiptare. Pas përpjekjes me armë që pati me forcat e Lidhjes Shqiptare, ushtria osmane hyri më në fund në Ulqinj dhe më 26 nëntor 1880, ia dorëzoi qytetin Malit të Zi.
Lëshimet e Portës së Lartë në dëm të tërësisë teritoriale të Shqipërisë, i dhanë një hov të madh levizjes për autonomi për krijimin e Vilajetit shqiptar, si hapë i parë për fitoren më vonë të pavarsisë së plotë. Lëvizja për autonomi, e cila e kishte shoqëruar qysh në fillim të luftës për tërësinë teritoriale të Shqipërisë kishte shënuar një ngritje të re sidomos në Kuvendin e Dytë të Frashërit (qershor 1880). Një hap i ri u bë në këtë drejtim me vendimet historike të Kuvendit të Gjirokastrës, që hartoi një program më të plotë për autonominë (24.07.1880). Në vijim Kuvendi i Jashtëzakonshëm u mblodh në Prizren në fund të 1880 e Shpalli Komitetin Qendror “Kuvernë e përdorme”. Repartet ushtarake të saj shtinë në dorë Shkupin (4 janar), Mitrovicën (15 janar) dhe Prishtinën më 18 janar 1881. Nënpunësit turq u dëbuan nga të gjitha qendrat ku u vendos pushteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
E tronditur nga kjo veprimtari kombëtare e L.SH. të Prizrenit, Perandoria Osmane i dha urdhër Dervish Pashës që me një ushtri të armatosur mirë ta shtype atë. Më 25 mars 1881, me forca të shumta, ai pushtoi me tradhti Shkupin dhe anëtarët e Komitetit të Lidhjes së qytetit i internoi. Pas betejave të përgjakshme në Sliovë dhe në Shtinjë ushtria osmane hyri në Prizren dhe me pushtimin e Gjakovës shtiu nën kontrollin e vet të gjitha qytetet e tjera të Kosovës e të tërë vendit. Mijëra veta kaluan nëpër gjyqet ushtarake në Prizren dhe në Janinë ( ndër ta edhe Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj) dhe po aq u internuan me familjet në Anadoll.
Koncepti i përpunuar nga Lidhja e Prizrenit për shetin kombëtar, përbën pikën më të lartë në zhvillimin e mendimit politiktë Rilindjes gjatë shek. të XIX dhe shënon gjithashtu përpjekjen e parë të shqiptarëve për të zgjidhur çështjen kombëtare qysh në vitet e Krizës Lindore të viteve 1875-1881, në një kohë me popujt e tjerë të Ballkanit, në kuadrin e ndryshimeve që Fuqit e Mëdha bënë atëherë në hartën politike të këtij Gadishulli.
I parashtruan qysh në vendimet e para të Lidhjes, koncepti i saj për zgjidhjen e çështjes shqiptarë duke themeluar një shtet kombëtar dhe autonom që pësoi evolucionin e vet, duke marrë një kuptim më të gjërë dhe një formë më të përcaktuar. Kërkesa e një vilajeti apo province të bashkuar, me një autonomi administrative, që u formulua si formë e parë e organizimit të shtetit shqiptar në vendimet e Kuvendit themelues të Prizrenit, në qershor të 1878, mori përmbajtje më të plotë në aktet që Lidhja i nxorri pas këtij Kuvendi. Në dy memorandum që i dërgoi Portës së Lartë, njëri i miratuar në Janinë (dt. 24 korrik 1878) e tjetri në Prizren ( po në korrik të atij viti) dhe me një projekt për reforma në Shqipëri, Lidhja kërkoi nga Stambolli që të merrte masa sa më të ngutshme për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një të vetëm, për të mbledhur e për ta bashkuar në një trup të vetëm gjithë Shqipërinë”. Ndërsa në rezolutën e miratuar në Kuvendin e përfaqësuesve të të gjitha viseve të Shqipërisë, të mbledhur në Dibër, më 8 nëntor të 1878, u përcaktua në mënyrë më të plotë program autonomist i Lidhjes Shqiptare.
Shqipëria e bashkuar si një vilajet i vetëm, do të kishte një status ndërkombëtar edhe pse të kufizuar, do të ishte autonome brenda territorit të vet, por e varur në mardhëniet me jashtë, që do të mbeteshin si më parë, kompetenca të Portës së Lartë. Megjithëse nën sovranitetin e sulltanit Shqipëria do të gëzonte një autonomi të gjërë administrative – shtetërore, të gjitha atributet e një organizimi shtetëror, të një shteti kombëtar shqiptar.
Krerët e Lidhjes e shikonin shtetin autonom,jo vetëm si një zgjidhje që mund të pranohej më lehtë nga Qeveria Osmane dhe Fuqitë e Mëdha, që nuk ishin të prirura të përkrahnin shkëputjen e plotë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por, edhe si një periudhë trazitore (kalimtare) drejtë pavarsisë dhe shkëputjes së plotë të Shqipërisë nga kjo perandori. Nëpër këtë rrugë patën kaluar edhe Rumania ( e ndarë më parë në dy province autonome), Serbia, Mali i Zi, Bullgaria ose edhe Egjypti në Afrikë, të cilët në fillim fituan statusin e autonomisë, të shtetve vasale nën suverenitetin e sulltanit, për të kaluar më pasë në shpalljen e pavarsisë së plotë.
Lidhja formuloi edhe zgjidhjen praktike të problemit, parashtroi në aktet e saj, konceptin e territorit të shtetit autonom shqiptar, në kufijtë e të cilit parashikohej të përfshiheshin trojet shqiptare,që njiheshin me emrin e përbashkët Shqipëri, që atëherë ishin ndarë nga ana administrative në katër vilajete, në atë të Janinës, Manastirit, Shkodrës dhe të Kosovës. Në këto vilajete, pranë shqiptarëve që përbënin shumicën dërmuese dhe jetonin në to në mënyrë komplakte, kishte edhe popullsi të tjera sllave, greke, etj., që banonin kryesisht në zonat e tyre periferike. Të nisur nga ky fakt, krerët e Lidhjes, kërkuan që në përcaktimin e përkatësisë së tyre kombëtare të merrej elementi që përbënte shumicën, duke u siguruar pakicave të drejtën e tyre në bazë të normave ndërkombëtare.
Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit për të bashkuar shqiptarët dhe territorete tyre në një shtet të vetëm, siç kishin bërë edhe kombet e tjera të Ballkanit dhe të Europës, nuk përbën ndonjë argument për t’u atribuar udhëheqësve të saj prirje shoveniste, shqiptaromëdha, sikurse kanë bërë e vazhdon të bëjë edhe sot historiografia e disa vendeve fqinje. Jo për shkak të ndonjë ekskluziviteti ndërkombëtar, por për hirë të kushteve, në të cilat i vendosi historia, “shqiptarët, sikurse shprehehj atëherë Abdyl Frashëri, një nga udhëheqësit kryesor të Lidhjes- nuk kishin ushqyer atëherë aspirate pushtuese ndaj popujve të tjerë”.
Në aktet e Lidhjes dhe në ato të të gjithë epokës të Rilindjes Shqipëria përmendej si një njësi administrative dhe etnike e përcaktuar qartë, si atdheu i shqiptarëve, i banuar historikisht e pandërprerje prej tyre, por në asnjë nga këto akte nuk zihej në gojë emri “Shqipëria e Madhe”, i cili është një trillëse qëllimkeqe e propagandës së qarqeve politike të shteteve fqinje, që u hodh në qarkullim në fundin e shek. XIX, për t’ia kundërvënë synimeve të natyrshme e të ligjshme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar. Togfjalëshi “Shqipëria e Madhe” që po dëgjohet më shpesh edhe në ditët tona në qarqet diplomatike e në media, e që për fat të keq artikullohet edhe nga personalitete zyrtare evropiane që janë miq të shqiptarëve dhe jo vetëm nga këta por edhe nga ato shqiptarë, e ka preardhjen e tij jo te shqiptarët, por nga qarqet politike të atyre shteteve ballkanike që kanë sot në kufijtë e tyre teritore me popullsi shqiptare. Këto qarqe, ashtu si pararendësit e tyre në kohën e Lidhjes së Prizrenit, e shihin me smirë e shqetësim të pajustifikuar procesin e emancipimit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e në radhë të parë, çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, si dhe pavarsinë e saj, që u arrit në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së e të Bashkësisë Evropiane, prirjet e gjithë shqiptarëve për t’u afruar në mënyrë të gjithanshme si pjestarë të të nëjtit komb, për të hyrë në rrugën e përparimit e për t’u integruar, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, në Evropën e Bashkuar.
Koncepti i Lidhjes së Prizrenit për Shqipërinë, si atdheu i përbashkët i shqiptarëve, i një popullsie që fliste të njëjtën gjuhë, pavarsisht nga dallimet fetare dhe ndarja administrative në katër vilajetet, ishte një koncept i drejtë shkencor. Mbi një parim të tillë të njësisë së gjuhës së popullsisë e të territoreve të saj, qenë ngritur edhe shtetet kombëtare në Evropë e në Ballkan. Në mendimin politik e në praktikën e të gjitha vendeve të Evropës është pranuar se kufijtë e vërtetë natyrorë janë ata që përcaktohen nga gjuha dhe simpatia e përbashkët.
Lidhja ndërmorri atëherë edhe hapa konkrete për të vënë në jetë kërkesën e shëndrrimit të Shqipërisë në një shtet të bashkuar autonom. Shpallja në Prizren në Janar të vitit 1881 e Qeverisë së Përkohshme, të drejtuar nga Kryetari i Lidhjes, personaliteti i shquar kosovar Ymer Prizreni, shënoi pikën më të lartë në luftë për formimin e shtetit kombëtar në perudhën e Lidhjes së Prizrenit.
Pra, deri në fund të vitit 1880, Porta e Lartë nuk i kishte përfillur kërkesat e Lidhjes për autonomi. Për më tepër, marshali Dervish Pasha, pas dorëzimit të Ulqinit më 26 nëntor 1880, malazezëve, u sul me egërsi kundra organeve të Lidhjes në Vilajetin e Shkodrës, si dhe filluan përgatitjet për të shtypur Lidhjen Shqiptare në mbar vendin. Në një thirrje të sulltanit drejtuar shqiptarëve, të gjithë ato që kërkonin autonomi cilësoheshin si armiq të rrezikshëm të Pernadorisë Osmane.
Dorëzimi i Ulqinit dhe masat e reja osmane shkaktuan një pakënaqësi të madhe në Shqipëri dhe i acaruan në kulm marrdhëniet e shqitparëve me sunduesit osmanë. Qysh në dhjetor të vitit 1880, në Kosovë filluan veprimet e armatosura kundër administratës osmane. Atdhetarët menduan se tani kishte ardhur çasti i përshtashëm për të vënë në jetë programin për autonomi. Në këto rrethana ato organizuan aty nga mesi i muajit janar 1881 në Prizren një kuvend të jashtëzakonshëm të Lidhjes Shqiptare. Në të morën pjesë vetëm përkrahësit e autonomisë. Kuvendi përjashtoi nga organet drejtuese të Lidhjes kundërshtarët e autonomisë dhe Komitetin Kombëtar e shpalli qeveri të parakohshme, kryesuar nga Ymer Prizrenit ( kryetar), Shuaip Spahiu (nënkryetar), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, etj. Qeveria e Përkohshme e Prizrenit organizoi menjëherë forcat e rregullta ushtarake dhe ngriti administratën e re shqiptare në viset që po çliroheshin. Repartet e qeverisë shqiptare, të komanduara nga Sulejman Vokshi dhe të përkrahur nga populli, çliruan gjatë janarit 1881, gjithë Kosovën, si dhe Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohërin, etj.
Udhëheqësit e Lidhjes e vlerësuan kërkesën e autonomisë së Shqipërisë dhe të shkëputjes së saj në të ardhmen nga Perandoria Osmane, si “një e drejtë të popullit shqiptar për të hyrë në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës i përkiste nga raca dhe gjinia”. Në peticionin e saj të fundit, dërguar ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Stamboll, më 15 prill 1881, kur ushtritë osmane të Dervish Pashës po shtypnin Lëvizjen shqiptare, Lidhja duke këmbëngulur në kërkesën e autonomisë, theksonte se kjo e drejtë i takonte Shqipërisë, si një vend evropianë. Meqë Shqipëria ndodhet në Evropë, theksohej në këtë akt ishte e nevojshme që të hynte në të qytetërimi evropianë që ajo të merrte pjesë në çdo llojë përparimi. Siç theksonin konsujt e huaj, në këtë peticion shprehej synimi i Lidhjes për të ngritur në Shqipëri një administratë të tillë autonome,që të ishte e aftë të përhapte të gjitha sistemet përparimtare dhe qytetëruese të kontinentit evropianë, në të cilin bënte pjesë.
Megjithëse u shtyp, vepra, që la Lidhja e Prizrenit, kreu në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar, si një faktor vendimtar në luftën për mbrojtjen e tërësisë së Atdheut dhe për formimin e një shteti shqiptar, ruan vlerën e vet, jo vetëm në planin historik –shkencor, por edhe në atë politik kombëtar. Vepra e saj ka hyrë në ndërgjegjen e kombit shqiptar, si një ngjarje gjithnjë e gjallë dhe e freskët, që u kujton shqiptarëve të kaluarën dhe përbën njëherazi një udhërrëfyes, një pikë referimi për të tashmen e të ardhmen e tyre.
Evokimi i këtyre përpjekjeve heroike të popullit tonë, na mbush zemrat me krenari të ligjshme dhe me respekt për ata që në këto kushte të vështira luftuan për çështjen që kanë qenë, janë dhe do jenë kurdoherë të shtrenjta për popullin tonë. Për ne janë plot kuptim, frymëzuese dhe aktuale fjalët plot optimizëm dhe besim në forcat e popullit që shprehu Abdyl Frashëri kur iu drejtua armiqëve të popullit shqiptar: “Puna juaj me Traktatin e Berlinit mbaroi, puna jonë si shqiptarë nga kjo ditë fillon”.
Shqiponja që nisi fluturimin e saj ato ditë të stuhishme në Prizren, nuk u ndal më kurrë. Vepra e Lidhjes së Prizrenit u plotësua më 28 Nëntor 1912 në Vlorë – me gjithë atentatet e komplotet, luftën grabitqare që kurdisi kundër popullit tonë një botë e tërë armiqsh, të cilët më 1913 vazhduan e plotsuan veprën e filluar me Traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit, me coptimin e pashoq të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kalenxhinj, politikanë e shkenctarë të rremë vazhduan e vazhdojnë të derdhin rrëke boje për t’i imponuar popullit, kombit shqiptar aftësi morale dhe intelektuale për një jetë shtetërore të pavarur, për të nxirë historinë e tij, brenda saj dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Megjithëse u shtyp, Lidhja shqiptare e Prizrenit ka rëndësi të madhe dhe zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Ajo është organizata e parë patriotike që mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar; ajo ishte e para organizatë që grumbulloi në gjitin e vet të gjithë shqiptarët, pavarsisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore; e para organizatë që kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe me veprimtarinë kulturore; e para organizatë patriotike që shkriu në një llogor të vetme qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive fqinjë për të mbrojtur tërësinë toksore të atdheut dhe për të realizuar autonominë e Shqipërisë. Dhe, si e tillë, ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të dhjetëveçarëve të mëvonshëm, e deri në ditët tona.
Pra, Lidhja e Prizrenit, me veprimtarinë e saj të shumëanshme, provoi botërisht jo vetëm ekzistencën – e kombit shqiptar, të cilën e patën mohuar në atë kohë, por edhe se si ai ishte liridashës, përparimdashës dhe i vendosur për të mbrojtur të drejtat e tij për të krijuar shtetin kombëtar. Në sajë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën e diplomacisë ndërkombëtare si një nga çështjet e mprehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar ndër shekuj!
Prof. Nebi Dervishi
Strugë,
10 Qershor 2022

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments