Shkrimtari ynë i njohur Kim Mehmeti, në faqen e tij të FB edhe njëherë i ka komentuar bisedat e përgjuara telefonike që qarkullojnë nëpër rrjetet sociale dhe ku dëgjohen duke biseduar drejtuesit BDI-së. Ai thotë se nuk ka nevojë për t’i dëgjuar këto biseda që ta dijë amoralin dhe jonjerëzoren e drejtuesve të kësaj partie, të cilët aq shumë investuan që t’ia mbyllin gojën.
Përndryshe së fundmi, u publikua edhe një bisedë e përgjuar telefonike mes kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti dhe Ermira Mehmetit, ku ata e akuzojnë Kim Mehmetin për një tekst të botuar në gazetën ‘Lajm’ dhe sajojnë plane si ta deskriditojnë dhe t’ia mbyllin gojën.
Sipas Kim Mehmetit kjo nuk është asgjë krahasuar me ofendimet dhe sharjet tjera që ia kanë drejtuar atij, e që do dëgjohen në ndërkohë. Dhe shtonë se këto biseda telefonike, neve shqiptarëve të Maqedonisë do na përballin me turpin që gjatë kohë nuk do mund ta shpërlajmë: që kemi përkrahur këso plehu politik. Më poshtë ua sjellim komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti të publikuar në faqen e tij të FB.
“Miq të kësaj faqeje më pyesin a i kam dëgjuar bisedat e përgjuara telefonike ku dëgjohet se si kryetari i BDI-së dhe bashkëpunëtorët e tij flasin për mua me gjuhë të pistë dhe kërkojnë mënyra si edhe përjetësisht të ma mbyllin gojën! Vallë beson dikush se duhet t’i dëgjoj këto biseda, për ta kuptuar amoralin dhe poshtërsinë e tyre njerëzorë? Pse, besoni dikush se nuk e di sa shumë ata investuan dhe sa shkrime paguan që të më ‘demaskojnë’!? Unë mburrem që u bëra burim fitimprurës për shumë gazetarë e portale, që paguheshin shtrenjtë nga kryesuesit e BDI-së, për të shkruar e botuar tekste nga më perverset dhe idiotesket për mua! Pastaj kjo që keni dëgjuar deri më tani, e që drejtuesit e BDI-së e kanë thënë për mua, nuk është asgjë krahasuar me ofendimet e sharjet që do i dëgjoni! E them më sinqerisht se jam kundër publikimit të këtyre bisedave të përgjuara telefonike. Në mos për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se nëpërmjet tyre, e tërë bota e merr vesh turpin dhe mëkatin tim: se çfarë plehu politikë dikur edhe unë kam ndihmuar e përkrahu! Por sidoqoftë ja, tani çdokush do e besojë atë që doja ta them në shkrimet dhe paraqitjet e mia publike: se ne shqiptarët e Maqedonisë, edhe gjatë kohë nuk do mund ta shpërlajmë turpin që kemi votuar drejtuesit e pafytyrë të BDI-së, ata që kurrë nuk janë marr me maqedonasit antishqiptarë, por tërë kohën kanë sajuar plane si t’i dënojnë e t’i dëmtojnë shqiptarët e padëgjueshëm! Dhe duke qenë të tillë, ata edhe kurrë nuk kanë mundur të besojnë se ka shqiptarë që veprojnë kokë në vete, që nuk bëjnë politikë me pantallona e brekë të rënë nëpër këmbë dhe, që nuk i teledirigjon ndonjë ‘sasho’!”, shkruan Kim Mehmeti.\lajmpress