Mobileri Kupa
Loris
Dhoma-Energy Reklamo ketu!
Partitë politike po politizojnë me grevën në arsim
Maqedoni, Slider

Partitë politike po politizojnë me grevën në arsim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Sindikata e Arsimit në këtë vend do të nisin të martën bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje për pagat në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm.

Kërkesë e Sindikatës së Arsimit është rritja e pagave për 18.4 për qind.

Mosplotësimi i kësaj kërkese ka qenë edhe shkak i grevës në arsim, që është mbajtur tri javë.

Sindikalistët njoftuan se kanë ndërprerë grevën për dhjetë ditë, për t’iu dhënë mundësi bisedimeve.

Kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov, u ankua edhe për presion nga pushteti.

“Unë i bëj apel Qeverisë, Ministrisë së Arsimit që të kenë mirëkuptim për atë që po kërkon pjesa dërrmuese e anëtarësisë sonë. Pas kësaj nuk qëndron asnjë arsye tjetër, pos nevoja për ngritjen e standardit të tyre. Kemi të bëjmë me kërkesa të ligjshme sociale, andaj edhe duhet të punojmë për të gjetur zgjidhje për këtë”, tha Nedelkov, pa dhënë më shumë detaje.

Kërkesat e sindikatës kanë bërë që partitë politike, në veçanti ato maqedonase, të akuzojnë njëra-tjetrën për politizimin e grevës.

Përfaqësuesit e Qeverisë, në veçanti Lidhja Social Demokrate, që është bartëse e koalicionit qeveritar, akuzoi Sindikatën e Arsimit se po zhvillon “agjendën partiake të opozitës maqedonase”.

Nga LSDM-ja thanë se pagat në arsim janë rritur disa herë gjatë qeverisjes së saj dhe shtuan se edhe tani ka ofertë nga Qeveria për një rritje prej 10%.

“Refuzimi i rritjes së pagave mesatarisht për rreth 3 mijë denarë (50 euro) nga kryesia e sindikatës, tregon se pagat e mësimdhënësve nuk janë qëllimi kryesor, por agjenda politike e opozitës. Është e njëjta opozitë që në Parlament e ka bllokuar ligjin për pagat e arsimtarëve gjatë gjithë vitit. Ajo, padyshim, që me vetëdije nxitoi me grevën, ndonëse ligji për pagën minimale parasheh një afat kohor për harmonizimin e pagave prej 6 muajsh”, tha Zhaklina Llazarevska, deputete e LSDM-së.

Por, VMRO DPMNE-ja vlerësoi se mbështetja që opozita i ka dhënë sindikatës në kërkesën për rritjen e pagave, nuk nënkupton politizimin e saj, pasi, siç tha, bëhet fjalë për kërkesa të ligjshme, marrë parasysh krizën ekonomike dhe gjendjen e rëndë të punonjësve të arsimit.

“Qeveria i ka përdorur të gjithë mekanizmat e shantazhit dhe presionit, edhe pse greva ishte paralajmëruar dy muaj para se të niste. Nëse Qeveria do të donte realisht t’iu gjente një zgjidhje kërkesave të stafit arsimor, mund ta bënte këtë para fillimit të grevës. Makineritë e LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim aktivizuan të gjitha resurset e mundshme për t’i dhënë fund grevës. Presionet ishin të mëdha, madje edhe me kërcënime për largime nga puna”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO DPMNE-së.

Azvi Mustafa, profesor universitar dhe njohës i zhvillimeve në arsim, thotë se ndërhyrjet e politikës kanë bërë që niveli i arsimit vazhdimisht të ulet. Ai përmend punësimet partiake, ndikimet politike, por edhe reformat, që, siç thotë, asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate.

“Më e keqja është se çdo ministër që vjen në pozitë, edhe atë që është arritur e kthen në fillim, qoftë për ngritjen permanente të pozitës së mësimdhënësit, qoftë për infrastrukturën apo edhe për tekstet shkollore. Kanë sjellë ligje të ndryshme që as ministria nuk i zbaton. Në shkollë, mësuesve nuk u duhen shumë ligje, por u duhet motivim për punë”, thotë Mustafa.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 janë në arsimin e mesëm dhe mbi 5,000 në kopshte.

Paga mesatare e arsimtarëve në sistemin parashkollor dhe fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro)./REL

May 2, 2022

Struga Ekspres