“Kushdo që premton se ka një formulë magjike këtu në Maqedoni me politika që do i ndal njerëzit të mos kërkojnë rroga më të mira, të mos kërkojnë jetë më të mirë jashtë, dijeni që ju gënjen dhe ju manipulon. E vetmja mënyrë për t’i ndal njerëzit të mos ikin apo për t’i kthyer ato të cilët veç më kanë shkuar, është duke u anëtarësuar në BE”, kështu i është përgjigjur pyetjes së një qytetari, lidhur me migrimin e shqiptarëve, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
“Në vitin 2004 kur Polonia anëtarësohet në BE, rroga mesatare ishte €350, sot Polonia ka rrogën mesatare rreth €2,000. Miliona polak të cilët dikur punonin nëpër Londër, Gjermani, Irlandë, sot janë kthyer në Poloni. Jo se kanë pasur Qeveri që kanë bërë politika për ndaljen e migrimit, por për shkak se e kanë anëtarësuar vendin në BE. Të marrë shembullin e Rumanisë. Rumania kur është anëtarësuar në vitin 2007, ka pasur rrogën mesatare €150, sot Rumania e ka €1,000 rrogën mesatare. €62,000,000,000 ka marrë Rumania nga BE-ja prej kur është anëtarësuar në vitin 2007. Njerëzit tanë, familjarët tanë, dikur në Zvicër dhe në Gjermani punonin në “baushtell” bashkë me portugezët dhe spanjollët. Sot, nuk ka më portugezë dhe spanjollë që punojnë në ndërtimtari, për shkak se janë kthyer në Portugali dhe Spanjë, për shkak se ata janë bërë pjesë e BE-së. Prandaj, ne aq shumë bëjmë përpjekje për Europë. Jo se nuk dimë gjë tjetër, por për shkak se nuk ka gjë tjetër, nuk ka zgjidhje tjetër përveç se anëtarësim në BE. Nëse ne për disa vite, sipas planit tonë, anëtarësohemi në BE, rroga mesatare për shumë shpejt bëhet mbi €1,000. Kur të bëhet mbi €1,000, të gjithë ata të cilët punojnë në perëndim do të zgjedhin vendlindjen, nëse dallimi nuk është aq i madh në rrogë. Integrimi në BE do e bëjë shëndetësinë më cilësore, do e bëjë arsimin më cilësorë, do e bëjë ajrin më të pastër, ujërat më të pastër, infrastrukturën do ta bëje më të mirë. Dhe, prandaj i kam bërë të gjitha ato përpjekje, që me Bullgarinë ta gjejmë një zgjidhje, me Greqinë të gjejmë një zgjidhje, me propozimin Francez, kam negociuar me Macron, me Scholz, me të gjithë, me SHBA-të; vetëm për shkak se e di, se çdo ditë që vonohet integrimi në BE, një grup njerëzish e lëshojnë vendin”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, nëse anëtarësohemi, sipas planit tonë, deri në 2030, shumë shpejt, me kapacitet që i ka ky shtet dhe me ndihmat e drejtpërdrejta nga BE-ja, këtu do të bëhet vendi më i mirë për jetesë.
“Duhet kjo përpjekje, na duhet kjo mbështetje që ta shtymë këtë rrugë. Kemi mbërrit kaq afër, pas 17 viteve i çelëm bisedimet me BE-në; t’i hapim kapitujt këtë vit edhe për 5 vite t’i mbyllim kapitujt dhe të bëhemi anëtarë të BE-së. A në ndërkohë e kemi ndërruar qasjen, që fondet të fillojnë edhe para anëtarësimit.