Gazetar: Miki Trajkovski
Kafeja që kemi pirë në Ohër është më e shtrenjtë se sa në Gjermani, thotë një mërgimtar i ardhur në vendlindje për festat e Vitit të Ri, shkruan Alsat.
Ai thotë se është i shqetësuar se si jetojnë të afërmit e tij në Ohër dhe Maqedoni me këto çmime.
“Sa i përket çmimeve, janë të njëjta si në Evropë kurse disa produkte janë më shtrenjtë se në Gjermani. Në këtë pjesë jam pak i zhgënjyer, sepse e di sa fiton familja këtu, si mbijetojnë, si i kalojnë muajt, a mund të bëni krahasim? Sa është një kafe në Gjermani? 2.5 euro është një kafe në Gjermani, këtu është më shumë se 3 euro, 4.5 varet se në cilën pjesë të qytetit”, tha një mërgimtar nga Gjermania.
Turistët që qëndruan në Ohër e Strugë për festat e fundvitit u ballafaquan me çmime shumë më të larta për shërbimet në restorante dhe kafene, si dhe me prenotime më të shtrenjta për akomodim.
“Jemi mësuar deri diku me çmimet, tani është pothuajse njësoj kudo, por është pak më e shtrenjtë, në krahasim me të kaluarën. Por duke qenë se është Viti i Ri dhe meqenëse turistët janë gati për të, ata e dinë që do të jetë kështu, si në çdo qytet tjetër turistik”, u shpreh Sandra Jovanoviq – menaxhere në agjenci turistike në Serbi.
Por kishte edhe nga ata që thanë se çmimet nuk kishin rëndësi për ta dhe se kishin ardhur për të shpenzuar.
“Gjithçka është normale. Nuk janë të larta çmimet. Është mirë. Çmimet janë më të shtrenjta në Sofje. Sofja është më e shtrenjtë”, tha një turist nga Bullgaria.
“Çmimet janë të ngjashme me ato në Serbi, ndoshta pak më të volitshme janë këtu. Çmimet janë të përballueshme për mysafirët nga Serbia”, u shpreh një turiste nga Serbi.
Punonjësi turistik Vllado Suklloski beson se çmimet duhet të ulen kur të përfundojë kulmi i sezonit turistik.
“Mendoj se nuk duhet të lejojmë që banorët e Ohrit të jenë turistë për 12 muaj, të paguajnë çmimet të larta të shërbimeve, sidomos në restorante dhe kafeteri, të cilat do të jenë të njëjta si në korrik, gusht dhe shtator. Askush nuk është kundër rritjes së çmimeve në kulmin e sezonin, por mendoj që pas sezonit, diku deri në mars, duhet të ulen çmimet, që edhe Ohri të ketë përfitim nga turistët”, theksoi Vllado Sukloski- punonjës turistik.
Sukloski propozon që Komuna t’i ulë taksat lokale, për gastronomët që do t’i ulin çmimet. Pos ushqimit, edhe kafeja po bëhet luks në Ohër. Një kafe në qendër të qytetit me pamje nga liqeni sillet nga 120 deri në 180 denarë. Një lëng deri në 180 denarë, birrë deri në 180 denarë. Çmimet e ushqimeve sillen nga 400 denarë e sipër, pica nga 400 deri në 600 denarë kurse hamburgeri nga 290 deri në 450 denarë./ Alsat.mk