Qeveria ka marrë vendim të zhbllokojë procesin e punësimit të edhe 300 specializantëve nga gjithsej 600, punësimi i të cilëve ishte paraparë me një vendim të vitit 2024, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, shkruan Lideri.mk.
Ai theksoi se procesi i punësimit të tyre duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti.
– Pas një ngecjeje të caktuar, u zhbllokua procesi i punësimit të 600 specializantëve. Ky është një vendim i Qeverisë nga viti 2024. Zbatimi i vendimit ishte vonuar. U punësuan 300 specializantë, ndërsa 300 të tjerë mbetën jashtë projektit. Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u mor vendim që procesi të hapet sërish dhe këta 300 specializantë, të cilët nuk u punësuan, të punësohen deri në fund të vitit 2026 – tha Klekovski.
Ai sqaroi se, duke qenë se ka kaluar një periudhë e caktuar që nga shprehja e interesit për punësim, Ministria e Shëndetësisë planifikon ta rihapë thirrjen për shprehje interesi, pasi sipas informacioneve të saj, rreth 30 nga këta 300 specializantë tashmë janë punësuar përmes procedurave të rregullta.
– Duam të shohim se cili është interesi aktual i specializantëve. Prioritet absolut do të kenë spitalet e përgjithshme dhe ato klinike jashtë Shkupit, si dhe specializimet në profilet ku kemi mungesë të specialistëve. Me këtë synojmë ta përmbyllim këtë aktivitet dhe të përmirësojmë ndjeshëm gjendjen sa i përket disponueshmërisë së specialistëve në shëndetësinë publike – shtoi Klekovski./Lideri.mk













