Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1, e ka refuzuar ankesën e ish shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov për paraburgimin në rastin “Perandoria”, njofton Portalb.mk.
Gjykatësit kanë vlerësuar se ekziston rrezik që Mijallkov të arratiset dhe të ndikojë ndaj dëshmitarëve dhe e ka konfirmuar vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili i ka shqiptuar 30 ditë paraburgim për rastin “Perandoria”.
“Duke vepruar në lidhje me ankesën e të akuzuarit S.M. është e deklaruar kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake me të cilën pranohet ankesa e Prokurorisë Speciale për shqiptimin e masës së paraburgimit në lëndën “Perandoria”, Këshilli Penal në Gjykatën Themelore gjatë ditës së djeshme ka mbajtur seancë publike në prani të palëve. Pas deklarimit të palëve dhe vlerësimit të fakteve dhe provave në ankesë, Këshilli vendosi që ta refuzojë ankesën e mbrojtjes dhe ta konfirmojë vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake”, thonë nga Gjykata Penale.