“Jemi në luftë. Kjo është fraza që presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti ndërsa i kërokonte qytetarëve të vendit të tij që të qëndronin në shtëpi dhe të respektonin rregullat për parandalimin e koronavirusit.
Macron prezantoi planin 15-ditor të masave që do të merren për të zvogëluar lëvizjet e qytetarëve në kohën e pandemisë. Më herët vendi i kishte mbyllur baret e restorantet.
Presidenti francez deklaroi se kufijtë e Francës do të mbyllen nga mesdita e së martës, në koordinim me shtetet e tjera të BE.
Macron u shpreh gjithashtu se ka vendosur që të përshkallëzojë më tej masat e marra për të limituar lëvizjet e njerëzve, duke filluar nga mesdita e ditës së nesërme. Presidenti francez i urdhëroi qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për të kryer detyra “jetësore”.
Kreu i shtetit kërkoi gjithashtu që të gjitha kompanitë të bëjnë të mundur që stafi të mund të punojë nga shtëpia.
Pasi falënderoi zyrtarët e shëndetit, Macron vazhdoi të këshillojë shumë qytetarë francezë që nuk iu bindën udhëzimeve për të mbajtur distancën sociale, duke thënë se ata kanë kërcënuar shëndetin e tyre dhe të të tjerëve.
Macron njoftoi gjithashtu se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, që do të mbaheshin më 22 mars, do të shtyhet. Presidenti, gjatë fjalës së tij, shtoi gjithashtu se nuk do të lejojë falimentimin e asnjë biznesi, pavarësisht madhësisë që mund të ketë. Për të arritur këtë ai njoftoi se qeveria do të miratojë një paketë ekonomike prej 300 miliardë eurosh.
Ai shtoi gjithashtu se faturat e gazit, energjisë elektrike dhe ujit do të pezullohen, ashtu si edhe qiratë, dhe shteti do të garantojë kreditë e kompanive. Në përputhje me kërkesën e BE.