Kryeministri Zoran Zaev, pas paralajmërimit nga lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, se pas dorëzimit të ligjit për përdorim të gjuhëve kjo parti do ta braktisë koalicionin qeveritar, thotë se pret vazhdim të bashkëpunimit për reformat në shtet.
Siç potencoi, nuk ngarkohet me shumicën jobindëse në Kuvend, e cila, sipas tij, ka qenë e shëndoshë për Maqedoninë, dhe nuk planifikon zgjedhje vitin e ardhshëm, por përkushtim në premtimet ndaj qytetarëve.
“Pas paralajmërimit se dalin nga Qeveria mbetem vetëm me qëllimin se do të mundemi të vazhdojmë të bashkëpunojmë për atë që do të thotë reforma, ligji për gjuhët, ratifikimi i Marrëveshjes me Bullgarinë, ‘dy të treta’ ligje, për përgjegjësinë për avancim të cilësisë së përgjithshme të jetës në Maqedoni”, tha kryeministri Zaev gjatë qëndrimit të sotëm në Prilep, duke e komentuar deklaratën e Selës.
Sa do të sillemi me përgjegjësi, shtoi Zaev, kështu do të na respektojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme, duke e kualifikuar si “insinuatë dhe çmenduri” deklaratën e Selës për marrëveshje ekonomike midis LSDM-së dhe BDI-së për Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Qeveri, theksoi Zaev, u plotësuan vendet e zbrazëta, midis të cilave edhe zgjedhja e ministrit të Shëndetësisë, ndërsa me partitë politike do të vazhdojmë të bisedojmë për çështje thelbësore.
“Ministria e Shëndetësisë nuk i përket asnjë partie, madje as LSDM-së, e aq më pak partive më të vogla. Kjo është thelbësore dhe i përfshin interesat e të gjithë qytetarëve. Më e rëndësishme është që të vendoset kuadër cilësor, ndërsa ai është ministri i sapozgjedhur Venko Filipçe dhe jam i bindur se do të ketë rezultate pozitive. Deri te situata e këtillë erdhëm kur Taravari, pa biseduar me askënd, publikoi se kandidohet për kryetar të komunës së Gostivarit”, theksoi Zaev.
I pyetur se si do të ballafaqohet me problemin me shumicën jobindëse në Kuvend e cila u tregua edhe gjatë zgjedhjes së prokurorit shtetëror publik, Zaev tha se kjo është e shëndetshme për Maqedoninë dhe se nuk nevojiten diktatorë të rinj të cilët absolutisht qeverisin në shtet.
“Shumica jobindëse ishte edhe gjatë formimit të Qeverisë, por kjo është demokraci. Unë nuk ngarkohem me këto. Ajo çka është e rëndësishme se unë si kryeministër nuk planifikoj që gjatë vitit 2018 të ketë zgjedhje, por ta realizojmë atë që ua premtuam qytetarëve për jetë më të mirë. Duhet t’i ngremë parametrat ekonomik në nivel më të lartë dhe t’ua përmirësojmë jetën qytetarëve që edhe e presin. Deri në zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 duhet të gjithë të tregojmë përkushtim, pushteti dhe opozita, të punojmë për qytetarët”, deklaroi Zaev, i cili me ministrin e Bujqësisë Lupço Nikolloski i vizituan pikat blerëse për duhan në Krivogashtan dhe Kombinatin e duhanit në Prilep.