Shefat janë në udhëtim zyrtar dhe për këtë shkak nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk mund të japin përgjigje përse në takimin koordinues të djeshëm nuk ishin të thirrur edhe përfaqësues të opozitës shqiptare. Thirrje deri në momentin e fundit ka pritur kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
“Kemi pritur deri në momentin e fundit se ndoshta do të reflektojnë që edhe shqiptarët të jenë të përfaqësuar në këtë debat që po zhvillohet rreth çështjes së emrit duke ditur që BDI nuk i ka votat e shqiptarëve dhe shumica e votave të shqiptarëve janë tek opozita në këtë rast, Besa dhe Aleanca.Po e shohim që deri në momentin e fundit nuk ka një reflektim të tillë dhe për këtë çështje do të dalim me një komunikatë të veçantë”, tha Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa.
E në komunikatë thuhet:
“Ne e kuptojmë faktin se çdo parti politike maqedonase qoftë ajo LSDM apo VMRO-DPMNE e kanë më të lehtë që të thërrasin në takime BDI-në pasi që e dinë shumë mirë rolin e statistit të kësaj partie në këto procese kaq të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë. A është kjo edhe një dëshmi se pala maqedonase çdoherë do të zgjedhë partinë më të dëgjueshme dhe jo atë që përfaqëson me vota shqiptarët e Maqedonisë?”.
Nëse në këtë takim ka qenë i ftuar kreu i opozitës Maqedonase, Hristijan Mickovski, nga Aleanca për Shqiptarët janë të mendimit se në këtë takim duhej të ishte prezent edhe kreu i partisë, Ziadin Sela.
“Aleanca për Shqiptarët duhej të ishte e ftuar në këtë tryezë të përbashkët. Ka qenë praktikë e deritanishme qe forca opozitare te jetë e përfshirë në bisedime, aq më tepër kur ka qene i ftuar lideri i opozitës maqedonase Mickov, duhej të ishte edhe Lideri i ASH, Ziadin Sela. Tanimë është krijuar traditë e përfshirjes së liderëve me relevancë politike, ashtu ndodhi në Marrëveshjen e Ohrit, të Përzhinos, dhe e njëjta duhet të ndodhë edhe në bisedimet për gjetjen e zgjidhjes se kontestit të emrit me Greqinë”, nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët shpresojnë se do të thirren në takimet e radhës, kurse i bëjnë thirrje kreut shtetëror që të ndryshojnë qasjen, që ata e quajnë selektive, ndaj proceseve të rëndësishme politike për të ardhmen e vendit./Express/
https://youtu.be/VATmfbAL69I