Në prag të riformatimit të qeverisë, nga PDSH edhe përkundër premtimit që do të japin qëndrim rreth hyrjes në Qeveri, nuk ishin në disponim të prononcohen edhe përkundër insistimit .
Përveç faktit se kush do të jetë partner i ri qeveritar, po kështu me interes po priten dhe ndryshime në kabinetin qeveritar. Burime të afërta me partitë qeveritare thonë se RDK-së do ti merret Ministria e Pushtetit Lokal meqë kjo parti së fundmi mori postin e nënkryetarit të Parlamentit.
Kjo ministri me gjasë do ti takojë partnerëve të rinj qeveritar, por nuk përjashtohet as mundësia që ta marrë BDI meqë më herët ka udhëhequr me këtë dikaster dhe se interesi është politik që kjo parti të hap pikën e re kufitare me Kosovën në aksin e ri rrugor Stanqiq- Bellanoc. Në opinion këto ditë ka zëra se nga BDI do të ndërrohen ministri i Drejtësisë dhe ai Ekonomisë, por që ende për këtë të fundit nuk ka ndonjë vendim partiak.
BDI lakmon dy ministri tjera – atë të Transportit dhe Lidhjeve dhe të Arsimit, me të cilat ka udhëhequr gjatë përbërjeve të kaluara qeveritare me VMRO-në. Dikastere tjera që mund të ketë ndryshime janë dhe Puna dhe Politika Sociale, si dhe Ministria e Kulturës. Në LSDM thonë se ende është herët për të folur se cilat dikastere do të pësojnë ndryshime në emra ministrash, por se nuk priten ndryshime të mëdha nga ministritë që drejton LSDM.
“Tani për tani është herët të flasim për ndryshime në Qeveri, se kush do të hyj do të dihet kur do të ketë bisedime konkrete. Tek resorët tanë nuk ka disponim në parti që të këtë ndryshime të mëdha për faktin se shumica kanë nisur reformat substanciale, si në arsim, shëndetësi, apo tek mirëqenia sociale”, thonë zyrtar partiak nga LSDM./Express/