Wednesday, May 1, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeMaqedoniDR.NEBI DERVISHI: ENIGMA E DOKUMENTIT TË AKTIT TË SHPALLJES SË PAVARSISË

DR.NEBI DERVISHI: ENIGMA E DOKUMENTIT TË AKTIT TË SHPALLJES SË PAVARSISË

Prof. Dr. Nebi Dervishi

ENIGMA E DOKUMENTIT TË AKTIT TË SHPALLJES SË PAVARSISË

Akti i shpalljes së pavarsisë së nji shteti sinjifikon aktin më të lartë juridik ku gërshetohet kurorzimi i përpjekjeve të brezave të tëra për ndërtimin e shtetit të tyre dhe vuajtjeve, peripecive, stërmundimeve mbi të cilat ngriet ky shtet.
Edhe shqiptarët duke mos bërë përjashtim nga kombet e qytetëruara themeluan shtetin e tyre gjysmak në 28 nëntor të vitit 1912, duke marrë për bazë të drejtën e tyre të pamohueshme për të qenë të bashkuar, të lirë e të pavarur në trojet e veta shekullore. Kjo e drejtë, si për ç’do popull tjetër, buronë nga qënia e tij si popull me gjuhë, tradita, kulturë, histori doke e zakone të njejta, që janë transmetuar brezë pas brezi deri në ditët e sotme, kur ne jemi duke u gatitur për të kremtuar 109 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, i cili vetëm shpirtërishtë përfaqëson të gjithë shqiptarët, pasi ai u cungua, dhe sot e kësaj dite është i tillë duke pasur më tepër se gjysmën e territoreve të veta jashtë trungut amë.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës nga ku u shpallë Pavarsia e Shqipërisë, përfaqësonte unitetin e shqiptarëve, për të qenë zot të vetes e truallit të tyre duke vendosur njëzërit që: “Shqipëria më sot të bëhet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”.
Fjalët e fundit janë ato që kanë vlerën e ndërtimit të shtetit mbi bazat e parimeve shtetformuese, mirëpo këto fjalë duhet të gjejnë vendin e duhur në piedestalin e të arriturave historike dhe të ekspozohen në Muzeun Kombëtar, për tu treguar të tjerëve se edhe ne jemi një me shtetet e kulturuara, të cilat me fanatizëm ruajm gjithçka që kanë arritur deri më sotë.
Pikërishtë këtu nis enigma. Dokumenti origjinal i Aktit të shpalljes së Pavarsisë edhe sot e kësaj dite nuk gjendet askund. Ne sot kemi në duar disa kopje të cilat janë riprodhuar nga dokumenti origjinal në vitin 1937, me urdhër të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, mirëpo siç tashmë dihet dokumenti nuk është i plotë, pasi një pjesë e nënshkrimeve të delegatëve që nënshkruan aktin, ndodheshin në një fletë tjetër.
Akti i Shpalljes së Pavarsisë mbushi dy faqet e letrës, përpara dhe prapashpinën e saj. Firmëtarët nuk i nxuri të gjithë faqja e parë. Një pjesë e tyre kanë firmosur në prapashpinën e dokumentit. Këtë faqe nuk e botoi Lef Nosi. Për ç’arsye nuk dihet, mirëpo, nuk ka pasur motive politikt, sepse personat e nënshkruar prapa Aktit ishin miqtë e tij të afërt.
Ndoshta ka ndodhur për pamundësi të shtypshkronjës së kohës? Ose pasi shtypshkronja kishte vendosur pranë deklaratës së pavarsisë edhe fotografinë e pjesmarrësve dhe firmëtarëve që morën pjes në Kuvend.
Mirëpo me të drejtë shtrohet pyetja: Se ku ndodhet dokumenti origjinal i Aktit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë.
Pistat kryesore që vihen në pah nga studiues të ndryshëm mbi atë se ku humben gjurmët e dokumentit të Aktit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë janë disa, mirëpo të gjitha këto pista humbin gjurmët në vitin e largët 1937.
Sipas publicistit të njohur Blendi Fevziu, i cili merrë për bazë deklaratat e studiuesit të apasionuar, Artan Lame, kopja origjinale ishte në vitin 1937 pronë e Lef Nosit, edhe ai firmëtarë i aktit dhe një koleksionist i famshëm e i apasionuar nga Elbasani. Me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, mbreti Zog përgatiti disa kopje të aktit me ngjyrë dhe u’a shpërndau atë firmëtarëve, që kishin mbetur gjallë. Në vitin 1944, Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionistë, ndërsa koleksioni i tij, kryesishtë u shkatërrua. Deri në vitin 1944, Lef Nosi dispononte në Bankën e Shqipërisë një kasafortë sigurie, në të cilën duket se ruante edhe dokumente të vlefshme për historinë e Shqipërisë. Nuk dihet se çfarë është bërë me kasafortën dhe dokumentet e ruajtura nga Lef Nosi në të.
Sipas historianit të njohur Kristo Frashëri, Akti i shpalljes së Pavarsisë, jo vetëm që është kopjuar në vitin 1937 me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, por ka dalë në dritë edhe në vitin 1962. Pronari i sajë (të cilin nuk e publikon me emër dhe mbiemër), pretendon se dokumentin me vlera autentike ia ka dhëne vetë Ismail Qemali, së bashku me një letër ku shkruhej “Ta kesh kujdes. Ky është dokument i madh me rëndësi të jashtëzakonshme”. Profesor Frashëri vazhdon “Ai e mbajti dhe nuk donte ta jepte. Ndoshta kishte frikë se mund ta përdhosnin atë dokument, ose ta shfrytëzonin për emrat që kishte aty brenda. Nuk e di për ç’arsye. Unë kam folur vetë me atë pronar dhe jam munduar që ai tia dhuronte Muzeut Kombëtar kundrejt nji shpërblimi”.
Një ndër pistat e hedhura vitet e fundit për atë se ku humbasin gjurmët e dokumentit të Aktit të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë është ajo se dokumenti mund të ketë rrugëtuar dhe mund të gjindet në Strugë!
Dhe kjo jo pa të drejtë. Supozimi i tillë mbështetet mbi baza të shëndosha, pasi pikërishtë në Strugë jetoi në 17 vitet e fundit të jetës së tij, djali i dytë i Ismail Qemalit, Qazim bej Vlora, i cili nuk i’u nda për asnji çast babait të tij në rrugëtimin drejtë shpalljes së pavarsisë, por edhe më vonë, derisa plaku i urtë (Ismail Qemali) do t’i mbyllte sytë në janar të vitit 1919.
Qazim bej Vlora ishte sekretar personal i Ismail Qemalit, ndërsa pas shpalljes së pavarsisë ishte edhe shef i kabinetit të tij.
Ardhja dhe vendosja e Qazimit në Strugë ishte krejt e rastësishme. Në moshën 66 vjeçare, ai u nis për në Stamboll, por u sëmur dhe u shtrua në spitalin e Strugës. Aty njoftohet me Behije Sherif Masllafin (29 vjeçare), që ishte e veja e Inajet bej Ohrit dhe që kishte katër fëmij dy djem dhe dy vajza. Behija dhe Qazimi vendosën të martoheshin dhe që nga viti 1936 Qazim bej Vlora u vendos përfundimishtë në Strugë në shtëpinë e Behijes.
Për të siguruar një pjesë të madhe të dokumentacionit të shtetit shqiptar, Qazim bej Vlora i sjell ato në Strugë. Ai mori me vete edhe një sasi të konsiderueshme të librave nga bibloteka personale, të cilat kohë pas kohe i shfletonte dhe u’a huazonte miqëve dhe shokëve strugan si Riza Pollozhanit, Belul Kadi Efendiut etj.
Pas prishjes së marëdhënieve diplomatike në mesë Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Qazimi mbeti në Strugë, kurse Behija me fëmijët në Shqipëri.
Qazim bej Vlora ndërronë jetë në moshën 83 vjeçare në 23.XII.1953 në Strugë, kurse shtëpia e tij nacionalizohet.
Nga dëshmitarët e kohës, pas vdekjes së Qazim beut, nga shtëpia janë nxjerrë një sasi e madhe librash e dokumentesh nga punëtorët e pastrimit komunal. Në vitin 1975 shtëpia bëhet pronë e Ramazan Azizit, i cili bënë disa riparime të vogla, sidomos në çati. Nga biseda e zhvilluar me pronarin aktual, mësojmë se në çati janë gjetur një sasi librash me shkrim arab, të cilat i ka hedhur. Më pas vazhdon se në katin e parë ka prishur një mur të brendshëm me trashësi të madhe, në brendine e të cilit ka gjetur libra dhe letra në gjuhën arabe të vendosura në një polisë brenda murit, të cilat poashtu i ka hedhur.
Pronari i shtëpisë dyshon se në muret e trasha të shtëpisë ende mund të gjenden dokumente me vlerë, ndër to ndoshta edhe dokumenti i Aktit të shpalljes së Pavarsisë së shtetit shqiptar.
Qazim bej Vlora, si intelektual i ngritur, pas vdekjes së të jatit e ka ditur rëndësinë e dokumenteve, prandaj ndoshta një pjesë të mirë të tyre i ka marrë me vete. Ndoshta dokumente të tjera me rëndësi historike, ndër to dhe dokumenti i Aktit të shpalljes së pavarsisë mund të gjenden në muret e kësaj shtëpije.
Por, shpresat e gjetjes së Aktit të Shpalljes së Pavarsisë u shuan vitin 2021, sepse shtëpia ku jetoi 17 vjetët e fundit Qazim Bej Qemali (djali i Ismail Qemalit),në Strugë, do të rrënohet dhe asnjë gjurmë të dokumentit me vlera të mëdha…..
Për të qenë misteri edhe më i madhë viti i humbjes së gjurmëve të dokumentit të Aktit të pavarsisë koinçidon me vitin kur Qazim bej Vlora është shpërngulur nga Shqipëria për në Strugë, në vitin 1937!
Madhështia e këtij 110 vjetori të shpalljes së Pavarsisë dhe krijimit të shtetit shqiptar do të kremtohet vitin e ardhshëm 2022, do të ishte edhe më e madhe nëse origjinali i dokumentit do të gjindej dhe do të vendosej në vendin që e meriton, ku do të ekspozohej për tu parë nga gjeneratat e reja.
Gjurmimet për gjetjen e Aktit të Shpalljes së Pavarsisë vazhdojnë…!

Gëzuar Festa e Flamurit”
Strugë, 27 Nëntor, 2021

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments