E vetmja rrethanë kur Kosova duhet ta marrë në konsideratë propozimin për anëtarësim në ‘Ballkanin e Hapur’, është nëse i ofrohet statusi i barabartë me shtetet e tjera që marrin pjesë.
Kështu ka deklaruar profesori i Universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.
Ai ka thënë se, një gjë e tillë nuk i është ofruar Kosovës, dhe se sipas tij, Kosova nuk duhet as ta marrë parasysh propozimin e jo më të anëtarësohet.
“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, me sa kuptoj unë, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, ka deklaruar Serwer.
Serwer thotë se iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij, të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.
“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkans sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, ka thënë shkurt ai.
Profesori amerikan ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë, sipas Serwer, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak të reputacionit negativ të shtetit rus në Ballkan. Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.
“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, u shpreh Serwer për PortaliD.
I pyetur se a është edhe në interesin e SHBA-së iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serwer u shpreh se personalisht mendon se jo, por se të njëjtin mendim nuk e ndan edhe qeveria amerikane. “Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, ka thënë shkurt ai.
Në fund, Serwer thotë se nuk është i sigurt nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.
“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkans është një letër e vdekur”, ka deklaruar Serwer.