Hedhësja e njohur e diskut, Sandra Perkoviq ka festuar me shqiponjë fitoren e saj në Memorialin Hanzhekoviq të mbajtur në Zagreb.
Festa e saj ka ngjallur përsëri debat duke thënë se atletja festoi me simbolin kombëtar të shqiptarëve, por një gjë të tillë e ka mohuar ajo, transmeton Koha.net.
Memoriali Hanzhekoviq është ngjarje e atletikës që mbahet në stadiumin e atletikës në Zagreb dhe është pjesë e garave botërore.
Ajo hodhi diskun në një distancë prej 67.6 metrave dhe pasi e kaloi me sukses garën ajo bëri shqiponjën, simbol që u bë edhe më i njohur nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kur realizuan kundër Serbisë në Botërorin e mbajtur në Rusi.
Festa e saj e ka befasuar gazetarin e televizionit HRT dhe menjëherë është pyetur cili ishte kuptimi i festës me shqiponjë.
“[Festa] do të thoshte se disku më në fund fluturoi”, ka thënë Perkoviq.