Saturday, April 20, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeKulturëAgim Vinca: Vdekja e të pavdekshmit Adem Demaçi

Agim Vinca: Vdekja e të pavdekshmit Adem Demaçi

VDEKJA E TË PAVDEKSHMIT

Nderim simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit (1936-2018)

U nda nga jeta Adem Demaçi. Vdiq njeriu që qysh për së gjalli fitoi pavdekësinë.

“Vdekje, kosën paloje”, do të thoshte poeti. S’ke ç’i bën një lisi si Demaçi!

Ai bëri për Kosovën dhe kombin shqiptar atë që s’e ka bërë askush tjetër: rezistencën shembullore dhe sakrificën sublime!

Ai ishte frymëzuesi më i madh në luftën tonë të gjatë e të vështirë për liri, që ende s’ka marrë fund.

Ai ishte idoli i ditëve tona djaloshare, njeriu që na mësoi si duhet atdheu dhe si luftohet për lirinë e mbrothësinë e tij.

Brezi im është rritur me emrin e Adem Demaçit, të cilin e kemi mbajtur në zemër dhe ia kemi pëshpëritur njëri-tjetrit edhe atëherë kur s’kemi guxuar ta shqiptojmë publikisht.

Adem Demaçi! Ai është një dhe s’ka të dytë!

Njëzet vjeç shkroi romanin emblematik “Gjarpijt e gjakut”, që u botua në vitin 1958, duke dhënë mesazhin e madh: “Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, por atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.

Duhet t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit për ta mundur armikun.

E burgosën, “në emër të popullit” (“Në emër të cilit popull?”, u tha inspektorëve të UDB-së kur e arrestuan në zyrën e “Rilindjes”, ku punonte si gazetar) dhe e dënuan për “agjitacion e propagandë”.

Kishte kërkuar në takime me kolegët e vet që të organizoheshin në mbrojtje të popullit të cilit i takonin, sepse kjo ishte detyrë e tyre si intelektualë.

Herët, shumë herët, kish guxuar atë që të tjerët nuk guxonin as ta ëndërronin: Luftën për liri kombëtare e dinjitet njerëzor.

Ai, Adem Demaçi, që me kalimin e kohës do të marrë nofkën “Baca Adem”.

Pas daljes nga burgu i parë, ra përsëri në burg, në vitet ‘60, tani për shkak se kishte formuar organizatën e tij të fshehtë politike “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), të shtrirë në tërë Kosovën, programin e së cilës e pat shkruar vetë, me dorën e tij, duke kërkuar çlirimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi dhe bashkimin e tyre me “Nanën Shqipni”.

Ç’herezi!

Nuk u pendua kurrë, nuk u ligështua kurrë, edhe në pranga e brenda mureve të qelisë ai ishte i lirë.

E sakrifikoi talentin e shkrimtarit të dorës së parë për hir të kauzës kombëtare. Pa asnjë dilemë e mëdyshje. Pa u ankuar kurrë për vete.

Populli ishte ylli i tij polar. Dhe mbarë njerëzimi, sepse ai ishte atdhetar i madh, por edhe humanist i madh.

Kur doli nga burgu i tretë, pas njëzet e tetë vjetësh, në prill të vitit 1990, deklaroi: “Dola nga burgu i vogël dhe hyra në burgun e madh prej dy milionë njerëzish”.

Kosova vuante si gjithnjë, madje edhe më keq se më parë, nën thundrën e një regjimi kriminal.

Atdhetar, veprimtar, lider shpirtëror e politik, publicist dhe shkrimtar, mësues dhe luftëtar, vizionar edhe kur dukej utopik, Adem Demaçi është një institucion më vete.

Hazërxhevap dhe me talent të lindur oratorik, ai shkëlqeu në intervista dhe duele televizive jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Beograd, Zagreb, Lubjanë e gjetkë, brenda dhe jashtë.

Kurrë s’i shkruante fjalimet, fliste pa tekst dhe nuk ngecte pothuajse kurrë.

Mendje brilante, që fliste rrjedhshëm dhe troç (ashtu siç edhe shkruante), edhe para Zotit edhe para djallit. Kudo. Dhe në çdo kohë.

I vogël me trup, por i madh me zemër e shpirt.

Ishte i tëri guxim e vendosmëri, por edhe dije e dashuri.

“Dashuri, energji, krijimtari”. Kjo ishte formula e tij.

Nuk e njihte rrezikun, nuk i tutej vdekjes.

Ai, Adem Demaçi, Biri i madh i një kombi të lashtë, por me fat tragjik, që rrallë e lindin shekujt.

Baca na la! Iku në amshim. Shkoi te ai Ademi tjetër dhe shokët e tij, dalzotësit e Kosovës.

Nuk kemi ditur ta nderojmë sa e meritonte gjatë jetës.

Do të dimë vallë ta bëjmë këtë pas vdekjes?

Strugë , 27 korrik 2018

Autor: Agim Vinca-Shkrimtar

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments