Në shumë vende të botës, koronavirusi i ri COVID-19 ka marrë jetë si dhe janë regjistruar me qindra mijëra të infektuar.
Deri më tani janë mbi 4,000 të vdekur në mbarë botën nga ky virus, kurse mbi 113 mijë të tjerë janë të infektuar.
Si pasojë e frikës nga ky virus, qytetarë në mbarë botën kanë nisur të blejnë artikuj ushqimorë dhe jo-ushqimorë në sasi të mëdha.
E ky panik duket se i ka kapluar edhe qytetarët e Kosovës, ndonëse ende nuk është raportuar për ndonjë rast me koronavirusin e ri,raporton Koha.net, përcjell Struga Ekspres.
Pamjet e dërguara në redaksinë e Kohës, tregojnë raftet e zbrazura të një supermarketi në kryeqytet.
Qytetarët janë parë duke blerë artikuj të higjienës, artikuj për bebe e fëmijë, gjëra elementare ushqimore – që të gjitha në sasi të mëdha.
Në ndërkohë, qeveria e Kosovës e ka miratuar të martën planin për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit, ashtu si dhe Planin e Veprimit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se kostoja e Planit të Veprimit është mbi dhjetë milionë e trembëdhjetë mijë euro.
“Masat e përfshira kanë për qëllim mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë dhe mbrojtjen e popullsisë. Situata rreth koronavirusit paraqet një emergjencë globale dhe për në koronavirusi paraqet emergjencë kombëtare. Plani i veprimit i bën aktivitetet tona më specifike”, ka thënë ai.