Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme pranë Qeverisë ka bërë të ditur se virusi Korona ka mbërritur në vendin tonë.
Bëhet fjalë për një paciente grua e moshës 50-vjeçare e ardhur nga Italia ditët e fundit. Pacientja ka rezultuar pozitive gjatë testit të zhvilluar në orët e pasdites në repartin e infektologjisë pranë Klinikës Universitare në Shkup.
Ajo për momentin është e shtruar në repartin e infektologjisë dhe ndodhet në gjendje stabile. Do të mbahet aty për të paktën 14 ditë.
Pacientja ka qenë në Itali për një muaj, por atje nuk ka rezultuar pozitive. Ministri tha se nuk ka nevojë për panik dhe se po merren të gjitha masat e duhura.
“Bëhet fjalë për grua, e cila ka qëndruar në Itali tek të afërmit e saj për një muaj. Dy javë të tëra ka qenë e sëmurë dhe është trajtuar në Itali, megjithatë nuk i janë bërë analiza të virusit Corona. Do të bëhen analiza të gjithë udhëtarëve të cilët kanë qenë bashkëudhëtarë me të, për të parë nëse edhe tek ta është prezent virusi vdekjeprurës. Gruaja do të qëndrojnë në izolim 14 ditor në Klinikën për sëmundje INfektive, në repartin e posaçëm për izolim” tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Virusi vdekjeprurës tanimë ka arritur edhe në Greqi. Autoritetet e atjeshme konfirmuan se një grua e moshës 38 vjeçe ka rezultuar pozitive në testimin e koronavirusit.
Paraprakisht ajo kishte udhëtuar në rajonin e Italisë veriore. Ndërkohë edhe shumë shtete të tjera të Evropës kanë raportuar për raste me Covid 19 të cilët kryesisht kanë udhëtuar në Itali. Ministrat e Shëndetësisë në Francë, Gjermani, Itali kanë thënë se pavarësisht pse po shtohet numri i personave të prekur në qendër dhe jug të Italisë ata nuk planifikojnë mbylljen e kufijve.
Në nivel botëror numri i të prekurve ka kaluar 80,000 duke shkaktuarmbi 2,700 vdekje kryesisht në Kinë. Në pjesën tjetër të botës ka pasur më shumë se 40 vdekje dhe mbi 2,700 raste të prekura./Aslat-M/