Dorëheqje të parevokueshme dhe fillim i ri i gjykimit për rastin “TNT”, për shembjen e kompleksit “Kosmos” të Fijat Canoskit. Gjykatësja porotë, Liljana Ivanovska-Koçovska informoi sot Gjykatën Penale se tërhiqet për arsye shëndetësore. Ajo javëve të fundit ishte cak i avokatëve të të akuzuarve, për shkak se i ka skaduar mandati katërvjeçar. Në ndërkohë, kjo është tërheqja e dytë e Koçovskës. Herën e parë, mendjen ia ndërroi kryetari i Penales, Ivan Xholev, i cili e bindi që do të jetë e mbrojtur nga presionet e avokatëve. Me fillimin e ri të rastit “TNT” arriti edhe paralajmërimi i gjykatësit që mbrojtja të mos e zvarris procesin. Megjithatë, nëse mbrojtja kërkon që dëshmitë të publikohen sërish, kjo do të merr kohë.
Janë dy mënyra, njëra është që sërish të publikohen dëshmitë. E dyta është që të lexohen. Sipas meje, më mirë të publikohen sërish, por nëse pajtohen të gjithë, do të pajtohem edhe unë – tha Jovica Strashevski, avokat i Toni Trajkovskit.
Presionet dhe kërcënimet të një pjese të avokatëve ndaj gjykatëses të porotës kanë qenë kyç për tërheqjen e saj, vlerëson prokurori Burim Rustemi. Sipas tij, sjellja e avokatit Strashevski është e palejuar, por qëllimi që ky gjykim të nisë prej fillimit, është arritur.
Mendoj se mbrojtja nuk do të pajtohet të lexohen deklaratat dhe gjykimi të ecë më shpejt, sepse qëllimi i tyre ishte i ndryshëm që në këtë proces të zvarritet procedura dhe të zgjasë një vit ose dy – u shpreh Burim Rustemi, Prokuror.
Biznesmeni Fiat Canoski, pronar i kompleksit të rrënuar “Cosmos”, vlerëson se gjykatësja porotë nuk është tërhequr vullnetarisht. Sipas tij, të pandehurit në sallën e gjyqit marrin urdhra nga i arratisuri Nikolla Gruevski se si të veprojnë.
Mbrojtja siç e shihni këmbëngul të prolongohet gjykimi. Ata presin që zgjedhjet e ardhshme të fitojnë dhe përsëri të mbretërojë gjyqësori ‘Swarovski’ dhe kështu do të shpëtojnë nga krimet që i kanë kryer – theksoi Fiat Canoski, biznesmen.
Penalja informoi se kërcënimet publike dhe presionet ndaj porotës kanë pasur efekt. Tashmë kanë emëruar porotë të ri, por edhe zëvendës. Gjykata pret që me rifillimin e “TNT-së” të respektohet praktika që provat dhe dëshmitë të lexohen në mënyrë që procesi të mos pengohet. Gjykimi për prishjen e kompleksit Cosmos vazhdon tashmë dy vite. Tensioni në sallën e gjyqit filloi në mes të nëntorit. I arratisuri Nikola Gruevski, Mile Janakieski, ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski dhe katër të tjerë akuzohen për shkatërrimin e paligjshëm të Kozmosit.