Mëngjes jo i zakonshëm ky i sotshmi. U zgjuam me gjëmën e fatkeqësisë që nuk e prisnim, jetojmë ditën me shpresën që pasojat të jenë sa më minimale.
Jemi pranë jush, bashkë vuajmë me ju humbjet në jetë njerëzish.
E tek ngushëllojmë njeri tjetrin do e gjejmë forcën për të vazhduar më tej, për të ndërtuar shpresën, jetën, Shqipërinë!
Sot jemi në krah me Shqipërinë duke u lutur që kjo fatkeqësi natyrore të mos përsëritet më. Si subjekt politik solidarizohemi dhe jemi në dispozicion për ta dhëne ndihmën tonë aty ku e kërkon nevoja.
Ndërkaq, ftojmë Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që urgjentisht të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme dhe t’i del në ndihmë Shqipërisë si një shtet i mirë fqinj duke ju urdhëruar organeve kompetente siç është Drejtoria për Menaxhimin e Krizave, Ekipet e zjarrfikësve, të vendosen në dispozicion të zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Po ashtu kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë të kontribuojë me medikamente dhe me ekipe mjekësore logjistike, të organizojë aksion për dhurimin e gjakut. Njëkohësisht t’i angazhojë ambulantat shtetërore dhe ato private të jenë ne gatishmëri të plotë për të lënduarit nga tërmeti i sotëm që shkaktoi dhimbje, pikëllim dhe trishtim të madh.
Aleanca për Shqiptarët edhe njëherë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura nga kjo fatkeqësi, duke shpresuar që numri i viktimave mos të rritet, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë!
Aleanca për Shqiptarët,