Mekanizimi i ndërmarrjes publike komunale në Strugë disa inspektorë të komunës, me mbështetje policore, sot tentuan të largojnë dhjetëra barka me pedale të vendosura buzë liqenit të Strugës. Por, tentimi ishte i pasuksesshëm pasi pronarët e barkave nuk lejuan një gjë të tillë. Të njëjtit, me protestë të qetë u ankuan se autoritetet nuk i lejojnë të punojnë dhe se kjo veprimtari është burimi kryesor i ekzistencës.
Tentimi për dislokimin e tyre vjen edhe krahas vendimit të Këshillit të komunës i cili nuk e mbështeti propozimin e komunës që të shqiptohet ndalesa për parkimin dhe qiradhënien e barkave këtë verë në Strugë.
Kërkojmë që të respektohet vendimi i këshilltarëve pasi ne i kemi zgjedhur si qytetarë. Thjeshtë i nënçmojnë këshilltarët tanë. Gjatë tërë natës i ruajmë barkat. Nuk bëjmë gjumë. Çdo moment presim dikush t’ua vë flakën – tha Mimoza Mojsova, pronare e barkave me pedale.
Në ndërkohë, Inspektori i komunës tha se kanë ardhur me urdhër të kryetarit Merko.
Kemi urdhër nga kryetari i komunës që të kryejmë detyrën dhe të vijmë këtu ta verifikojmë gjendjen faktike. Kush ka leje, le të vazhdojë. Kush nuk ka, le t’i marrë barkat. Ne bëmë procesverbal të premten, u dhamë urdhër që të bëjnë kërkesë, asnjëri nuk e bëri – u shpreh Alijat Aber, inspektor i komunës.
Por, pronarët e barkave me të cilët biseduam pohojnë të kundërtën gjegjësisht thonë se kanë dorëzuar kërkesë të këtillë pranë komunës. Në Strugë operojnë rreth 90 barka me pedale, por për momentin nuk janë të gjitha në funksion. Kryetari i Strugës, Ramiz Merko për mediat deklaroi se këtë vit nuk do të ketë barka nëpër plazhet e Strugës dhe se asnjë pronar nuk ka dorëzuar kërkesë për leje, por edhe nëse dorëzojnë, siç shton Merko, nuk do t’u miratohet e njëjta pasi këto mjete lundruese nuk janë të sigurt. Edhe verën e kaluar nuk kishte barka të këtilla në liqenin e Strugës, por për dallim me këtë vit, atëherë Këshilli i komunës mori vendim për ndalimin e tyre.
Miki Trajkovski