Prokuroria themelore publike Gostivar parashtroi aktakuzë kundër tre personave të cilët ngarkohen se kanë qenë të involvuar në vrasjen e familjes treanëtarëshe në Dibër, që ndodhi në gusht të vitit të kaluar.
Pas procedurës së gjerë hetimore, Prokuroria siguroi dëshmi se e akuzuara e parë ka kryer vepër penale – vrasje, përderisa dy të akuzuarit e tjerë për ndihmë gjatë kryerjes së veprës së njejtë.
Siç është cekur në kumtesën e Prokurorisë publike, më 26 gusht të vitit 2018, në shtëpinë familjare në Dibër, e akuzuara, duke shtënë nga një afërsi e madhe, me pistoletë të kalibrit 7,65mm së pari e ka privuar nga jeta nënën dhe babain e saj, e më pas edhe motrën e mitur. Dy të akuzuarit e tjerë me paramendim e kanë ndihmuar në kryerjen dhe mbulimin e veprës penale.
Një ditë para kryerjes së veprës penale, e akuzuara e parë ka kontaktuar me telefon me të akuzuarin e dytë dhe është takuar me të në Gostivar. I akuzuari i dytë ka marrë me qira automobil dhe së bashku janë nisur drejt Dibrës për t’u furnizuar me armë. Ditën e njejtë, në afërsi të Spitalit të qytetit, janë takuar me të akuzuarin e tretë, i cili iu ka siguruar pistoletë dhe pesë plumba.
Pas kryerjes së veprës penale, e akuzuara është nisur drejt Strugës, ku është takuar me të akuzuarin e dytë dhe ia ka dhënë çelësat e automjetit të marrë me qira për ta kthyer në Gostivar. E akuzuara me taksi ka shkuar në aeroport në Shkup, prej ku me aeroplan është nisur drejt Republikës së Italisë.
Duke vlerësuar se edhe më tutje janë përmbushur bazat ligjore, prokurori kompetent publik në Gjykatën themelore Gostivar ka parashtruar edhe propozim për vazhdim të masës së paraburgimit për personat e akuzuar.