Sot në zyrën e Aleancës për Shqiptarët në Strugë u realizua takim mes Kryetarit të Degës, Imer Imeri dhe përfaqësuesve nga misioni i OSBE – ODIHR – it në Maqedoninë e Veriut.
Temë e takimit ishin Zgjedhjet Presidenciale 2019 dhe fushata zgjedhore që po zhvillohet këto ditë.
U diskutuan mundësitë për një proces zgjedhor demokratik dhe për sfidat që mund të hasin subjektet politike gjatë këtij procesi.
Kryetari Imer Imeri, i cili njëkohësisht është edhe Kryetar i Shtabit Zgjedhor të Aleancës në Strugë, shprehu shqetësimet e tij rreth tendencës së partive në pushtet për të bërë presion tek votuesit e sidomos tek bizneset dhe të punësuarit në administratë, për të votuar kandidatin e pushtetit, por edhe për ti penguar të ndjekin aktivitetet partiake të partive opozitare. Është dëshmuar në vitet e kaluara, por edhe këtë vit po vërehet përdorimi i aparatit dhe mekanizmave shtetërore për arritjen e qëllimeve zgjedhore të partive në pushtet.
Takime të tilla sigurisht se do të realizohen edhe në të ardhmen, ndërsa Shtabi Zgjedhor i Aleancës për Shqiptarët do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësuesit e OSBE – ODIHR për paraqitje të çdolloj shkeljeje gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.
Aleanca për Shqiptarët – Strugë