Zëvendëskryeministri Hazbi Lika foli sot për shpërbërjen e Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Ai tha se kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Lika tha se nuk e di kur e ka sjellë BDI-ja këtë vendim, por tha se është dashur të konsultohen të gjitha palët për të arritur një ligj sa më të mirë.
“Mendoj se nuk është koha për ta thënë një gjë të tillë por çështja është se duhet të njihen njerëzit dhe aktorët politik me realitete të caktuara. Unë dje bëra një reagim shumë objektiv sepse unë jam udhëheqës i një sektori që e bart këtë proces, dhe të ngrihet iniciativë për ta ndryshuar këtë sektor, unë e quaj të nevojshme që të pyetet edhe ky sektor, të merret në konsideratë dhe të bashkëpunohet për të hartuar një ligj i cili më mirë do t’i mbrojë interesat sepse jemi të vetëdijshëm që marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili ende nuk është implementuar.
Një shembull konkret është përfaqësimi i drejtë dhe unë mendoj që kjo nuk duhet të merret si një lojë ose si diçka e lehtë që mund të kapërcehet aty për aty. Nuk kam ndonjë mendim konkret në lidhje me ligjin, ligji ndoshta mund të jetë më i mirë por mbase mund të bëhet edhe më i mirë, sepse kaluan diku 17 vjet prej kur është arritur ajo marrëveshje. Ne e dimë se afatet i ka pasur për 4 vjet të implementohet dhe nuk është implementuar deri më tani. Po flasim për implementim dhe po hyjmë në konflikte për një marrëveshje e cila është dashur të implementohet 4 vite pasi është arritur” – tha Lika.
Po e quani konflikt. Konflikt mes kujt?
“Nuk e them konflikt në kuptimin e parë të fjalës , por po e them si konflikt mendimesh, idesh”.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani sot tha se vendimin për transformimin e Sekretariatit në Ministri e ka sjellë vetë BDI-ja. Cili ka qenë zëri juaj në atë vendim të partisë?
“Nuk e di kur e ka sjellë BDI-ja këtë vendim, por e di që kjo është një nga pikat e Marrëveshjes së Tiranës, mirëpo sot kur po merret ky vendim për hartimin e ligjit, unë e quaj shumë të nevojshme dhe shumë të aryeshme që të konsultohen të gjitha palët për të arritur një ligj sa më të mirë”.
Si e komentoni mospjesëmarrjen e Ali Ahmetit pikërisht sot kur po shuhet Sekretariati të cilin ju e udhëhiqni?
“Unë nuk e di se cila është arsyeja e mospjesëmarrjes por e di se ky ligj për të cilin ne po diskutojmë është në Parlament dhe ndoshta ka nevojë atje për të dhënë mendimet e tij por manifestim është i përvjetshëm dhe nuk është viti i parë që nuk ka qenë, ka edhe vite të tjera që s’ka qenë, kur ka pasur mundësi të vijë, ka ardhur”.
A keni shpresa që ju ta udhëhiqni Ministrinë e ardhshme për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie Ndëretnike?
“Jo nuk ka të bëjë me atë. Këto që po ndodhin sot nuk ka të bëjë me atë”.
Është diskutuar shumë mungesa juaj në seancat e qeverisë. A mund ta dimë aryen?
“Edhe kjo është një çështje që besoj se nuk duhet të bisedohet gjatë këtyre kohërave sepse jemi para një procesi zgjedhor dhe nuk dua që referimet e mia të bëhen pjesë e ndikimeve për këtë proces zgjedhor”.