Ai është një artist shumë i dashur dhe me shumë vite në skenën shqiptare e me plot këngë e hite, që vështirë se ai vetë t’i dallojë se cilën e quan më kulminanten në karrierën e tij, prandaj na i rikujton disa të tilla. Ky është këngëtari Argjend Lloga, i cili në këtë intervistë flet për mallin për vendlindjen, projektet që janë gati e pret të vijë vera e ti sjellë ato. Por i pyetur mes të tjerash se a do t’i rikthehej sërish muzikës në një kthim prapa ne jetë, ai thotë patjetër. Për më shumë lexoni intervistën e tij dhënë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Argjend jeni larg apo afër, në Amerikë apo Evropë?
Jam në tjetër kontinent dhe në mes na ndan një oqean. Praktikisht domethënë me trup jam në Amerikë, kurse teorikisht, shpirtërisht jam në Shqipëri.
KOHA: Jeta juaj tashmë ka vite në Amerikë, ju mungon vendlindja?
Vendlindja sigurisht që më mungon sa që për 9 vite dhe ëndrrat kur i shoh, i shoh sikur unë ndodhem në vendlindje, dhe ky fenomen është shumë domethënës.
KOHA: E vizitoni atë kur keni projekte apo shpesh merrni avionin me shumë orë edhe kur keni ndonjë gëzim në fis?
Unë së bashku me familjen e vizitoj vendlindjen çdo vit dhe janë shumë arsye pse, por njëra nga ato më e rëndësishme është se unë jam shqiptar. Sa i përket gëzimeve familjare sigurisht që po dhe këtë verë kam dhe martesën e vajzës time që kemi filluar dhe me përgatitjen e dasmës madhështore.
KOHA: Keni dhënë një formulë të mirë pak ditë më parë në përvjetorin e martesës, pas shumë viteve ju kujtohet dita e parë kur u njohët me nusen tënde?
Dita e parë e takimit me nusen më kujtohet shumë mirë, kam qenë shumë i ri dhe kanë qenë kohë të tjera dhe traditat kanë qenë më të theksuara.
KOHA: Do ta zgjidhnit sërish njëri-tjetrin nëse do të riktheheshit sërish si beqar?
Nuk e di nëse do me zgjidhte gruaja mua përsëri nëse do të riktheheshim përsëri beqarë, pasi që janë shumë faktorë, rastësia, fati e shumë rrethana, por unë për vete jam shumë i kënaqur nga ajo dhe do ta zgjedhja përsëri.
KOHA: Po rrugën e muzikës do të ishte sërish një zgjedhje e jotja nëse do të ktheheshit pas?
Sigurisht dhe rrugën e muzikës do ta kisha zgjedh përsëri pasi që unë aty kam gjet veten, kam arrit suksesin dhe ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme.
KOHA: Cila është kënga hit ose ajo që e quan majë e karrierës tënde?
Kënga që ka qenë super hit ka dëshmuar dhe në media para 15 vitesh titullohet “Loti verbër”, kurse për mua personalisht këngët e zemrës janë: “Po ku je bija ime”, “Bashkë do të kthehemi në Kosovë”, “Kalimtar i dashurisë” “Gurbeti”, “Vendi ku u rrita”, “E bukura shqiptari”.
KOHA: Po me vëllain do të kemi sërish ndonjë duet? Projekti më i ri muzikor kur do të vijë?
E kam patur shumë vështirë t’i përkushtohem krijimtarisë së këngëve dhe menaxhimit nga që unë jam shumë i ngarkuar me pune disa vite me radhe, por kësaj vere dhe gjatë këtij viti do të kem shumë surpriza për të gjithë adhuruesit e mi. Të gjitha projektet, idetë janë gati vetëm pres verën që të kthehem në vendlindje. Kurse bashkëpunimin me vëllain e shpresoj në të ardhmen, tani për tani ai i ka ca projekte të vetat që do t’i realizoj.