Mes akuzave që ndodhën gjatë këtyre ditëve, ndërmjet partnerëve më të mëdhenj të koalicionit, LSDM-së dhe BDI-së, për mosmarrjen e imunitetit të deputetit Trajko Veljanoskit, sot do të realizohet takimi mes liderëve Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti, për t’i dhënë epilog procesit të gjetjes së kandidatit konsesual për zgjedhjet presidenciale të 21-prillit.
Lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev mbrëmë para selisë së partisë tha, se takimi do të zhvillohet në kohën kur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet seanca për pyetjet e deputetëve.
“Derisa në Kuvend zhvillohen pyetjet e deputetëve, ne do ta realizojmë takimin në të cilin do të kemi informacione për atë se a është e mundshme që LSDM-ja dhe BDI-ja, dhe sigurisht dhe partitë e tjera me të cilat kemi biseduar, të vijnë deri te një emër i përbashkët për kandidat për president”, tha Zaev.
Ai gjithashtu deklaroi sot do të kumtohen qëndrimet e partisë më të madhe të koalicionit, BDI-së.
“Besoj se ata kanë biseduar dhe i kanë pikëpamjet e tyre. Sigurisht, se nëse kanë biseduar në funksion të kandidatit të përbashkët, kanë emra, kanë analizat e veta. Ne i kemi shpërndarë analizat tona, a ata i kanë analizat e veta”, tha Zaev.
“Imuniteti i Veljanoskit”, Zaev: Pa BDI-në i kemi 58 deputetë
Sa i takon zhvillimeve në seancën plenare ku duhej t’i hiqej imuniteti deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, dhe akuzave për njëra – tjetrën të partive në pushtet, LSDM dhe BDI se po bëjnë “kalkulime me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE”, lideri Zoran Zaev e demantoi deputetin e partisë së tij, Muhamed Zekiri ku thotë se “mundet qeveria edhe pa BDI-në”.
“Kemi koalicion me 68 deputetë. Nëse i marrim 10 deputetët e BDI-së, kemi 58, do të thotë nuk kemi 61. Kështu që, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Për këtë, subjektet politike serioze, qasen seriozisht ndaj të gjitha problemeve”, tha Zaev.
Ndaj deklaratës së Zekirit ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e quajti gabim shumë të madh mundësinë e qeverisjes së LSDM-së pa partinë e tij.
“Nëse mbahet qeveria edhe pa BDI, atëherë mund të them se bëhet shumë gabim. Por do të thoja se kjo është deklaratë e një anëtari të LSDM-së, dhe se nuk mbart përgjegjësinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Ahmeti.
Sa i takon veprimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Zaev ka thënë se nuk mund t’i kërkohet përgjegjësi, por se presin përgjigje për atë se pse nuk iu mor imuniteti deputetit Veljanoski. /portalb/