Të nderuar qytetarë,
Po shkruajmë për të denoncuar sjelljet e pakontrolluara të Kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili si pasojë e plasjes së skandaleve në universitetin e tij privat, hakmerret në të gjitha mënyrat ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai.
I tillë ishte rasti i djeshëm, kur Ramiz Merko, për tu hakmarrë ndaj lajmeve se në Universitetin e tij privat shiten diploma, inskenoi dhe mundohet të montojë një procedurë penale ndaj një personit që para 1 vitit e ka larguar nga puna. E ka larguar nga puna për arsye politike dhe tani po mundohet që ti bëjë dëm dhe presion më të madh, duke i mveshur akuza të pabaza dhe qesharake vetëm për t’ia përlyer emrin dhe për t’ia prishur imazhin.
Këto lojëra nuk janë të vetmet. Gjatë kësaj periudhe qeverisjeje me Strugën , Ramiz Merko dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ushtruar presion të paparë ndaj administratorëve shqiptarë, vetëm e vetëm se ato nuk mendojnë si ai. Ka larguar nga puna mbi 100 të punësuar shqiptarë dhe akoma vazhdon ti malltretojë e të mos i lërë rehat. Sa të pashpirt paskanë qënë.
Ramiz Merko duhet urgjentisht të japë llogari para qytetarëve dhe para drejtësisë, për punët e pista që bëhen në biznesin e tij privat! Dyshimet për shitje diplomash nuk janë ndonjë risi. Por tani që po fillon t’i ngushtohet rrethi, ky njeri reagon në mënyrë të çuditshme dhe të pakontrolluar duke u hakmarrë ndaj çdokujt, ku mendon se e ka më të lehtë.
Por kësaj radhe nuk do ta ketë të lehtë. Ne nuk do të lejojmë që me aq lehtësi t’iu montohen raste qytetarëve tanë, vetëm pse Ramizat dhe Kadriat e pushtetit lokal duan të realizojnë qëllimet e tyre të ulëta.
Gojën nuk na mbyllni, por ama as veprat. Aleanca për Shqiptarët, do të mbrojë me gjithë kapacitetin e vet çdo shkeje të të drejtave të qytetarit nga ana e atyre që për çdo ditë shkelin ligjin me dy këmbë e shëtisin të lirë.
Ne jemi partia më e madhe në Strugë, jemi parti e dalur nga vota e pastër shqiptare dhe mbi të gjitha, ne jemi vota e pastër e mërgimtarëve shqiptarë. Kjo na jep forcë edhe më shumë.
Kërkojmë nga institucionet shtetërore, gjyqësia dhe prokuroria, të hetojnë dyshimet për keqpërdorime dhe shkelje të rënda në Universitetin Privat të Ramiz Merkos?!
Kërkojmë të zbardhen njëherë e mirë rastet e dyshuara me titujt shkencorë?!
Kërkojmë të hetohet pasuria e krijuar në mënyra shumë të dyshimta e Ramiz Merkos, familjes së tij të ngushtë, bashkëpunëtorit të tij kryesor, Armen Kadrioski dhe familjes së tij?
Automjetet private të blera brenda natës e që kapin vlera prej 150 mijë eurove nuk blihen as me rrogë profesori e as administratori. E këta i kanë të shumta në numër.
Të hetohen pronat e patundshme të këtyre personave, të cilën e kanë krijuar për periudhë të shkurtër kohore dhe kap vlera milionëshe në treg!
Të kontrollohen dhe hetohen të gjitha lëndët dhe dyshimet për korrupsion brenda komunës, harxhimet marramendëse nëpër lokale e restorante nga familjarë, bashkëpunëtorë dhe bashkëpartiakë të Ramiz Merkos, të gjitha nga buxheti i qytetarëve të Strugës.
Të hetohen rastet e pakontrolluara të harxhimit të naftës dhe derivateve të naftës nga buxheti i komunës?
Të hetohet puna e ndërmarrjeve publike e sidomos asaj për parkingje, ku me muaj të tërë po vidhen xhepat e qytetarëve dhe askush nuk jep raport se ku shkojnë këto para!
Aleanca për Shqiptarët është e gatshme të ndihmojë institucionet hetuese qoftë në dhënie informacioni logjistikë.
Gjithashtu Ju informojmë se për këtë dhe ngjarjet e fundit, ditën e Shtunë, Aleanca për Shqiptarët në Strugë do të zhvillojë takim të zgjeruar me aktivistët dhe për vendimet që do të merren nga ky takim do të njoftohet edhe opinioni i gjërë.
Aleanca për Shqiptarët-Strugë