Në muajin Korrik të vitit 2017 kryefamiljari shqiptar u dëbua nga Amerika duke lënë pas gruan e tij dhe dy fëmijët.
Llukan Buta u paraqit në zyrat e ICE, për të parë nëse kërkesa e tij për azil ishte pranuar, por edhe pse ishte baba i dy fëmijëve ai nuk u lejua që të qëndronte në SHBA. Gruaja e tij Frances Joseph dhe nëna e saj Katherine Hadjimichael kanë bërë apel të fortë për rikthimin e Butës në Amerikë.
“Isha shtatzënë në atë kohë. Kur mbërritëm në zyrën e ICE kishim edhe vajzën Valentina me vete, e 2 vjeçe në atë kohë. Ata nuk kishin të drejtë të më ndanin nga bashkëshorti,”- shprehet Joseph për ThinkProgress.
“Vajza donte të shkonte me të atin kur agjentët e kishin marrë, por agjentët e kishin pyetur Butan mjaft ftohtë: Pse e sollë vajzën tënde me vete, kujton se do të na vijë keq,”- vijon më tej Joseph. Ditë më vonë Frances ishte paraqitur sërish tek zyrat e ICE dhe e kishte parë burrin pas hekurave ndërsa priste që ta dëbonin për në Shqipëri.
Familja e Llukan Buta është larguar nga Shqipëria që kur ai ishte ende fëmijë. Në vitin 1998, Buta ishte 11-vjeç kur arriti në Shtetet e Bashkuara bashkë me prindërit, emigrantë shqiptarë. Familja Buta aplikoi për azil sapo mbërriti, por kërkesa e tyre u hodh poshtë në vitin 2000. Më pas autoritetet lëshuan një urdhër dëbimi për familjen shqiptare.
Gjatë kësaj kohe, Llukan Buta braktisi shkollën dhe u fut të punonte për të ndihmuar nënën e tij. Kur prindërit e tij u divorcuan dhe babai i tij u largua nga familja, nëna e shqiptarit kujdesej e vetme për të dhe motrën e tij. “Nëna ime punonte dy punë për të na mbështetur,”- tregon Buta nëpërmjet telefonit për ThinkProgress.
Në vitin 2002, Bordi i Apelimit të Emigracionit nuk pranoi të rrëzonte vendimin e gjyqtarit të azilit, duke lënë në fuqi vendimin për dëbimin e familjes.
Historia
Joseph dhe Buta u takuan për herë të parë në vitin 2014. Ata u njohën nga miq të përbashkët në Astoria Park. “E dija se kishte një urdhër mbikëqyrjeje, por jo se kishte një urdhër dëbimi për të. Isha e inatosur, e mërzitur. Jam e zemëruar me atë pasi nuk më kishte treguar shumë gjëra,”- vijon e prekur Joseph.
Dëbimi ka qenë një barrë e rëndë në Butën. Ai nuk ishte aty kur erdhi në jetë vajza e tij e dytë Isabella. “Po qaja dhe kam kaluar në depresion. Kam menduar të kryej vetëvrasje,”- kujton babai shqiptar. Gjithsesi peshën më të madhe të kësaj distance e kalon nëna e dy fëmijëve të tij. Ajo vuan edhe nga skleroza e shumëfishtë dhe tashmë po kërkon ndihmë nga shteti pasi gjendja e saj shëndetësore nuk e lejon që të kujdeset për vajzat.