Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka theksuar se votimi i sotëm në Parlament tregoi se si mbrohet dinjiteti i shqiptarëve, ndërsa për këtë, ka përgëzuar dy deputetët e partisë së tij. Në një status në Facebook, Kasami ka faleminderuar edhe ekipin negociator të BESËS, i cili, siç shkruan Kasami, arriti një marrëveshje dinjitoze me Qeverinë.
Postimi i plotë i Kasamit në FB:
“Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të Lëvizjes BESA
Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe kryetarë të degëve
Pas një periudhe shumë të vështirë negociatash për ndryshimet kushtetuese, sot përfundimisht mund të deklaroj se këtë proces e përmbyllëm ne sukses. Për herë të parë një parti opozitare shqiptare arrinë një marrëveshje dinjitoze me Qeverinë. Më lejoni që t`Ju falënderoj të gjithëve një nga një për përkrahjen e parezervë që na e dhatë në këto momente të rëndësishme për Lëvizjen BESA dhe shqiptarët në Maqedoni. Ju lutem që këtë mesazh falënderimi ta percillni deri te çdo anëtarë i Lëvizjes BESA.
Përgëzime për ekipin negociator për angazhimin dhe përkushtimin e pashoq për marrëveshjen e arritur.
Në fund, një falenderim i madh për dy deputetët tanë që treguan se si mbrohet dinjiteti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë. Edhe përkundër një situate shumë të rëndë, me intervenime nga gjitha anët, qëndruan stoikë duke mbrojtur pa asnjë rezervë vendimin e partisë.
Me Ju jam i gatshëm të flijoj gjithçka për të vazhduar me dinjitet këtë rrugë të vështirë që jemi duke e bërë bashkë.
Na priftë e mbara!
Urime shqiptarë rrugëtimin drejt NATO-s dhe BE -së!”.