Saturday, November 23, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionKisha ardhur nga Veleshta, për të hedhur dritë mbi jetën dhe vdekjen...

Kisha ardhur nga Veleshta, për të hedhur dritë mbi jetën dhe vdekjen e gjyshit tim Kurtish Istrefi

Shkup, 23 Shtator,ora 8 e mëngjesit. Ndodhesha përpara ndërtesës së Arkivit shtetërore të Maqedonisë, akoma dera kryesore nuk ishte e hapur, orari i punës fillonte prej orës 8 e 30 min. Në murin e ndërtesës kishte një pllakë me mbishkrimin “Dërzhavna Arhiva na R.M”, asnjë fjalë në gjuhën shqipe. Brenda mureve të asaj ndërtese, nëpër raftet e dokumenteve ndodheshin të varrosura fatet dhe faktet, dosjet e shumë shqiptarëve të torturuar dhe më pas të zhdukur nga dora sllavo-komuniste, një ndër ta ishte edhe një djalosh 22 vjeçar nga Veleshta e Strugës, me emrin Kurtish Istrefi, përndryshe gjyshi im, për të cilin kisha ardhur këtu nga Veleshta, për të hedhur dritë mbi jetën dhe vdekjen e tij.

Kisha dëgjuar shumë histori nga të afërmit e mi në lidhje me këtë temë, por nuk kishim si familje asnjë dokument zyrtar, për procedurën gjyqësore dhe shkaqet e vdekjes së tij! Nuk e dinim: Sa vjet u dënua? Cilat ishin shkaqet e vdekjes? Ku është varrosur?

Këto tre pyetje kanë ngelur pa përgjigje plotë 60 vite, pikërisht nga viti 1950, prej kur gjyshi im ka qënë i likuiduar fizikisht nga Burgu i Idrizovës, kurse familjarëve u është thënë gojarisht se “djali i juaj ka vdekur”- aq… as një fjalë më tepër e asnjë fjalë më pak! Të kota kanë qenë tentimet e familjarëve për të gjetur varrin dhe shkaqet e vdekjes, ato nuk u zbuluan kurrë!

Çfarë absurdi!? Çfarë njerëzish kanë qenë vallë këto?! Të vdes një 22 vjeçar në burg, i shëndoshë si kokrra e mollës, asnjëherë i sëmur më parë dhe të mos tregosh shkaqet, të mos tregosh se ku është varrosur!? Kjo është mizori e paparë që historia e njerëzimit nuk e njeh, këtë gjë s’mund ta bëjnë edhe kafshët, por ja në Maqedoni kjo ka ndodhur.

Ja, fiks në ora 8 e 30 u hap dera e ndërtesës dhe filluan të punësuarit të futen brenda, po ngjisja shkallët e asaj ndërtese, hapat më dukeshin të rënda si plumbi, dhe më dukej se po më pritej fryma, po shkoja të marr gjyshin të shndërruar në letra, në një dosje dhe ta kthej në shtëpi, atje ku dikur e priste një zemër nëne dhe një zemër babai, një grua tipike shqiptare dhe dy fëmijët që tani më kanë hapur krahët si të shqiponjës dhe si për inatin e dikujt janë shtuar dhe stërshtuar.

Më la përshtypje një djalosh i cili po fliste shqip në celular, i tregova se jam nga Struga dhe përse kam ardhur. Atëherë ai më tha që ti drejtohem zëvendës drejtorit sepse është shqiptar dhe se do të më mbaronte punë gjeta zyrën e zëvendës drejtorit, ju prezantova dhe më priti me një mikpritje jashtëzakonisht të madhe. Ishte një burrë i pjekur dhe një historian dhe atdhedashës i flaktë. Sa ia tregova rastin kapi telefonin dhe i angazhoi të gjithë për ta gjetur dosjen e gjyshit, atë dosje të cilën askush nuk kishte mundur që ta lexon. Pas disa orëve dosja erdhi në duart e mia, u përshëndeta me zëvendësdrejtorin dhe mora rrugën për në Veleshtë, ashtu siç duhej të kthehet gjyshi im, prej të cilit kishte ngelur vetëm ajo dosje prej 14 faqesh.

Nga kurioziteti që kisha, fillova menjëherë të lexoj dosjen, duke ecur në këmbë e duke lexuar, kur e hapa faqen e parë pashë fotografinë e tij, nën fotografi emri: Kurtish Rufan-Istrefi. Në sytë e tij kishte trishtim, mu duk sikur kërkonte ndihmë, u ula rreth rrjedhës së Vardarit sepse nuk mund të vazhdoja më. U ndjeva shumë keq, një i ri vetëm 22 vjeç, që kishte bërë një vepër penale dhe ishte dënuar me 15 vite heqje lirie dhe me punë të detyruar, ashtu siç dënoheshin “shqiptarët armiq të pushtetit popullor”.

Përgjigjen e parë të pyetjes se sa ishte dënuar e mora, por ku janë përgjigjet tjera? Nga se vdiq dhe ku është varrosur? Asnjëherë nuk do ta dimë, ata fletë të dosjes janë zhdukur bashkë me gjyshin tim. Ja pra kjo ka qenë dhe është Maqedonia, procese gjyqësore të montuara, nënshkrime nën presion, deklarata nën torturë, dëshmitar të rrejshëm, rrahje deri në vdekje! Mendova se do ta realizoj një ëndërr, një amanet nga të parët e mi të cilët shkuan nga kjo botë me zemër të përvëluar, mendova se kam në dorë dosjen ku ndodhet e vërteta, por fatkeqësisht shpresa u tret si bora në duart e mija.

S’ka mbetur asnjë gjurmë nga Kurtishi, as varr, as dosje! Vallë edhe në varr ja kanë patur frikën?! Por e kanë kot, neve kemi lindur edhe shumë Kurtisha dhe Rufana, Labehate dhe Dardana të rinj nga gjaku i tij, jemi shtuar dhe do të shtohemi edhe më tepër. Emri i tij do të dëgjohet dhe do të jetë traumë, frikë dhe trishtim për ata që menduan se e zhdukën atë, kurse për neve ai do të ngelet shqiponja me sqepin si shpatë dhe syrin e mprehtë, që akoma bën roje mbi ato thepa të larta, të lara me gjakun e tij, atje ku bashkohet kaltërsia e virgjër e qiellit dhe bardhësia masive malore.

Përparim Istrefi,

Veleshtë-Strugë
(Struga Ekspres)

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!