Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu ka thënë se nëse punëtorët e Bashkësisë Islame pajtohen që një udhëheqës të vazhdojë të ushtrojë detyrën asgjë nuk ka të keqe këtu.
Ai në RTV Dukagjini ka thënë se edhe para Naim Tërnavës, BIK-u ka pasur myfti që ka udhëhequr institucionin për 20 vite.
“Duhet të kuptoj opinioni se kemi të bëjmë me një institucion fetar e jo ndonjë institucion tjetër. Edhe më herët ne kemi pasur dikë që ka qëndruar në pozitën e të parit të BIK-ut për 20 vite”.
Sadriu ka thënë se përzgjedhja e këshillave lokal bëhet në bazë të disa kritereve dhe kjo është një e drejtë e Kryesisë së BIK-ut.
“Ne punojmë në bazë të normativave tona. Zgjedhet këshilli lokal prej shtatë personave dhe në mesin e tyre zgjedhet kryetari nga Kryesia e BIK-ut. Kriter i zgjedhjes merret përvoja, angazhimi, autoriteti dhe disa gjëra tjera”, tha ai.
Zëdhënësi i BIK-ut ka folur edhe sistemin e pagesave të anëtarësisë që funksionon në kuadër të institucionit.
“Nga sistemi monist ka ekzistuar sistemi i anëtarësisë në BIK. Ne jemi të detyruar të veprojmë kështu pasi nuk paguhemi nga shteti”.
Sadriu ka thënë se BIK-u po ka problem në centralizimin e sistemit të anëtarësisë në BIK.
“Kemi problem me fshatrat e mëdha, dhe aty imami ka një pagë deri në 1500 euro ndërsa ka edhe fshatra të vogla që imamët paguhen shumë pak. Por fshatrat e mëdha po shkaktojnë problemë dhe nuk e duan centralizimin, pasi nëse ai fshat hynë në këtë sistem, paga e tij mundë ti përgjysmohet prandaj ata po kundërshtojnë këtë sistem”, deklaroi ndër të tjera Sadriu.